BILANCI: Së paku, nëntë persona, sipas policisë kanë kërkuar ndihmën mjekësore në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, me lëndime të ndryshme, kryesisht, lëndime të lehta dhe prerje në pjesë të ndryshme të trupit, nga mjetet e vëna në përdorim gjatë rrahjes.

Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës raporton për një rrahje masive, që thuhet të ketë filluar rreth orës 23 të natës së mbrëmshme, në rrugën “Llolle Ribara” ndërsa grupi i të rinjve fillimisht ka demoluar dy automjete civile pronë të qytetarëve të përkatësisë etnike serbe.

 

Dyshohet se motiv i mundshëm i kësaj rrahje është konflikti i interesit të grupeve huligane.

“Ndjekja dhe rrahja e grupeve të të rinjve, ka vazhduar edhe në dy lokacione të ndryshme në veri të Mitrovicës ndërsa njësitë policore të stacionit veri dhe atij Zveqan, janë vënë në kryerje të detyrës për të parandaluar eskalimin e mëtejmë të situatës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rrahja masive, thuhet se është përhapur në rrugën “Knjaz Millosh” ku janë demoluar xhamat e një lokali të ushqimit të shpejtë, ndërsa policët patrullues, sipas njoftimit të policisë, të cilët kanë reaguar të parët në vend ngjarje, janë obliguar të vënë në përdorim spërkatësin lotsjellës, për të ndarë grupet e përfshira në rrahje të cilët përdornin mjete të forta.

“Njëri nga zyrtarët policor, si mënyrë paralajmëruese, duke konsideruar të domosdoshme veprimin e tij, ka vënë në përdorim armën zyrtare, duke shtënë në ajër me qëllim të parandalimit të grupeve vandale të cilët mund të shkaktonin lëndime të rënda trupore gjatë rrahjes, me përdorim të shkopinjve dhe gjësendeve tjera të forta”, njofton policia.

Rrahja, përndjekja dhe vandalizmi në rrugë, nuk ka përfunduar me reagimin e patrullave policore, të dyja grupet e përfshira në rrahje, janë larguar në drejtim të rrugës “Mbreti Petër” ndërsa në shënjestër të dëmeve materiale ishte edhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës, me ç’rast, xhami i pasmë i automjetit zyrtar është dëmtuar si rezultat i goditjeve me mjete të forta nga grupi i sulmuesve thuhet në njoftimin e policisë.

Hetuesit policor të stacionit veri në Mitrovicë, kanë iniciuar hetimet për vepra penale “dëmtim të pronës” dhe “shkaktim të lëndimeve trupore” ndërsa janë në proces të mbledhjes së informatave për identifikimin e mundshëm të personave të përfshirë në rrahje, njofton Policia e cila bën të ditur, se nuk është arrestuar askush deri në këtë moment.

SHPËRNDAJE