Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar sonte në seancën e Kuvendit që diaspora e Kosovës të ketë ulëse të garantuara në Kuvend.

“Propozimi ynë si PDK është që vota e garantuar e diasporës duhet të garantojë pjesëmarrjen e diasporës në Kuvend, ashtu që ata të kenë përfaqësuesit e tyre të vërtetë këtu.”, tha ai.

Gjatë seancës ku u diskutua për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet, Krasniqi propozoi që përveç ligjit të ndryshohet edhe Kushtetuta, për të garantuar një numër të caktuar të pozitave të deputetëve për përfaqësues të diasporës.

“Veç në këtë mënyrë ne vërtetë e nderojmë diasporën tonë dhe e transformojmë përfundimisht nga ndihmuese e vendit në pjesëmarrëse direkte në vendimmarrje dhe në zhvillim të tij.”, tha Krasniqi.

Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës ka ardhur gjatë iniciativës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes e cila ka propozuar që diaspora të votojnë në Ambasadat e Kosovës, por jo edhe të ketë vende të garantuara në Kuvend.

SHPËRNDAJE