Burime zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bëjnë të ditur se sot ky komision nis shqyrtimin e ankesave të dy forcave kryesore politike Partisë Demokratike (PD) dhe të Partisë Socialiste (PS), lidhur kontestimin e rezultateve të votimit, në zgjedhjet lokale të 8 majit, në katër minibashki të Tiranës.

Leonard Olli, zëdhënës i KQZ-së tha se ankesa kundër rezultatit paraprak, ende, të pa certifikuar të KQZ-së, i janë drejtuar këtij komisioni edhe nga shumë kandidatë dhe subjekte politike nga 384 qendra votimi ku u votua në nivel kombëtar.

Olli thekson se ky numër është pothuajse dy herë më i ulët në krahasim me zgjedhjet lokale të paraardhëse, ato të vitit 2007.

“Në vitin 2007 kërkesat ankimore ishin 300, pra rreth 90 % e njësive vendore paraqitën ankesa”. Olli bën të ditur se rezultat zyrtar i zgjedhjeve lokale të 8 majit pritet të dalin pas rreth 2 muajve, nga dita e zhvillimit të tyre. Nga ky parashikim përjashtim duket se bën Tirana.

Rezultati i zgjedhjeve bashkiake të Tiranës, do të shpallet të premten e kësaj jave, më 3 qershor kur Kolegji Zgjedhor do të japë verdiktin e tij, të pakthyeshëm, ndaj padisë që PS ka depozituar kundër KQZ.

SHPËRNDAJE