Në Temishvar të Rumanisë është mbajtur Kampionati i 15-të Evropian i futbollit të vogël për priftërinjtë katolikë. Ky turne i cili ka nisur me iniciativën e Papa Gjon Palit II, zakonisht zhvillohet çdo vit në muajin shkurt në vende të ndryshme të Evropës.

Kosova mori pjesë në këtë event për herë të tretë, pasi ishte pjesë e tij edhe në vitin 2019 dhe 2020. Në këtë turne morën pjesë ekipet e priftërinjve nga 16 shtete të Evropës. Kosova bëri një përfaqësim dinjitoz, duke pasur parasysh se kishte ekipe shumë të forta, si janë Portugalia, Rumania dhe Bosnja e Hercegovina. Gjithsesi, qëllimi nuk ishte vetëm futbolli por edhe miqësia dhe ndarja e përvojave të priftërinjve katolikë nga vende të ndryshme. Kosova ishte në grup me Bosnjën, Slloveninë dhe Serbinë. Në ndeshjen e parë kundër Bosnjës priftërinjtë kosovarë kanë pësuar humbje (4:0), por më pas kanë fituar kundër Sllovenisë (4:1) dhe kundër Serbisë (3:0). Ndërkaq në rrethin e eliminimit direkt Kosova ka pësuar humbje nga Kroacia. Në fund, kampion i këtij turneu doli Bosnja e Hercegovina./RTK/

SHPËRNDAJE