Behgjet PacolliBehgjet Pacolli nuk ka befasuar elektoratin rahovecas vetëm me paraqitjen e papritur të tij në një sallë ku Koalicioni për Kosovë të Re ka organizuar të martën një tubim elektoral. Kur pritej të përfundonte ky aktivitet pa të, Pacolli ka hyrë në Sallën e Kulturës. Menjëherë i është dhënë fjala dhe ka dhënë premtimin e pa dëgjuar deri tash nga ai. Ka thënë se do ta bashkojë de jure Kosovën me Shqipërinë brenda një periudhe jo shumë të largët.

“Sigurisht të gjithë ne e kemi synim bashkimin kombëtar. Bashkimin e trojeve tona. Por, ekzistojnë mënyrat si. Neve kurrkush nuk mund të na ndalë që të punojmë dhe që de fakto të bashkohemi, kurse de jure do të jetë një periudhë pas 10-15 viteve”, ka thënë Pacolli, me të cilin premtim ka ndezur simpatizantët, njofton Koha. “Ne prej fillimit tonë të aktivitetit politik e kemi qëllim bashkimin kombëtar, por bashkimin kombëtar në një mënyrë evolutive, në një mënyrë të mençur”.

Pastaj ka treguar se si do të mbërrihej kjo. Ka thënë se, pas integrimit të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian, do të mund të mbërrihej marrëveshje politike midis qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë për ta formalizuar bashkimin. Deri atëherë parasheh që bashkimi de fakto të ndodhë. Kjo, duke eliminuar kufijtë në mes dy shteteve, duke hequr doganat, duke prodhuar ligje të njëjta dhe Kushtetutë të njëjtë.

Megjithëkëtë, ka thënë se bashkimi duhet të ndodhë edhe me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare. E, me komunitetin ndërkombëtar, ka thënë t’i ketë punët mirë. Për argument ka përmendur 26 shtete, që sipas Pacollit, kanë njohur Kosovën falë aktivitetit lobues të tij. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE