Vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës për qarkullimin e valutave do të jenë temë kyçe në Bruksel të martën (sot), në ditën kur janë ftuar për takim përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë. Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se takimet me palën kosovare dhe serbe do të mbahen në mëngjes. Është bërë e ditur se “do të kenë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut”.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të martën do të mbahet takimi në mes të Kosovës e Serbisë për të diskutuar “çështjen e dinarit”.
Kështu është bërë e ditur nga zëdhënësja e BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Nabila Masralli, e cila ka deklaruar se pala kosovare dhe ajo e Serbisë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut, i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për qarkullimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës. Takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut. Dhe po, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre“, ka thënë ajo.