Shkruan: Mr. Nehat Hyseni

          Me vendosjen e pushtetit të ri të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, filloi persekutimi i Shqiptarëve, që ishte vazhdimësi e masakrave të bëra gjatë viteve të Luftës. Qysh në ditët e para të vendosjes së regjimit të ri (komunist), Presheva shikohej si element jo i sigurt, andaj, së shpejti filloi  zhvendosja e administratës shtetërore në Bujanoc. Shtatë (7) fshatrat e Karadakut: Staneci, Sefert, Caravajka, Peçena, Depca, Maxherja dhe Ranatoca, që më parë ishin në kuadër të komunës së Gjilanit (Kosovës), ato tani i bashkëngjiten komunës së Preshevës  (Serbisë), ndërsa Kosovës i bashkëngjiten disa vendbanime në veri: Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Me Kushtetutën e RP të Serbisë të vitit 1947, në territorin e Serbisë u bashkangjitën

1. Qarku i Novi Pazarit, që përfshinte në vete: rethin e Mitrovicës, Novi Pazarit dhe Sjenicës;

2. Qarku i Prizrenit: rethi i Gorës, Gjakovës, Dukagjinit, Podgorës, Podrimes dhe rethi i Sharrit;

3. Qarku i Prishtinës“ rethi i Vuçiternës, Gjilanit, Llapit, rethi i Prishtinës dhe rethi i Ferizajit;

4. Nga Qarku i Kumanovës, RP të Serbisë iu bashkangjit vetëm rethi i Preshevës, kurse të tjerët mbetën në kuadër të RP të Maqedonisë.Pra, Presheva më parë ishte në kuadër të Banovinës së Vardarit dhe në Qarkun e Kumanovës, kurse me Kushtetutën e RP të Serbisë të vitit 1947, ajo bëhet pjesë e Serbisë.

5. Nga Qarku i Plevles, RP të Serbisë i bashkëngjiten: rethi i Novi Varoshit dhe rethi i Plevles;

6. Nga Qarku i Shkupit, RP   të  Serbisë , përkatësisht Krahinës Autonome të Kosovës i bashkëngjitet   rethi i  Kaçanikut.

 Ndërsa rethet e tjerë iu bashkangjitën Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Ligji mbi ndarjen administrative-territoriale të RP të Serbisë i 18.prillit 1947 (Sl. Glasnik NRS, broj 17/1947), përcakton këto njësi administrative-territoriale: rethin, qytetet dhe  rajonet e qyteteve.

Pra, me këtë Ligj hiqen qarqet si njësi administrative-territoriale, kështu që organet republikane të administratës lidhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë me rethet. 

Me këtë Ligj, gjithashtu, përfundon historia shekullore e Preshevës e të qenit qendër rajoni që daton qysh nga koha para Turqisë, gjatë kohës së Perandorisë Osmane, Mbretërisë SKS dhe Mbretërisë Jugosllave. Presheva tani  hyn nën rethin e Bujanocit. 

Me këtë Ligj bëhen edhe ndryshime të tjera administrative-territoriale, shumë të rëndësishme: shtatë (7) fshatrat e Karadakut: Staneci, Sefert, Caravajka, Peçena, Depca, Maxherja dhe Ranatoca, që më parë ishin në kuadër të komunës së Gjilanit (Kosovës), ato tani i bashkëngjiten komunës së Preshevës  (Serbisë), ndërsa Kosovës i bashkëngjiten disa vendbanime në veri: Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveça
ni.

Burimi:  Regjistrimi i popullsisë së RSFJ-së i vitit 1961., Libri  X, Popullsia dhe ekonomitë shtëpiake në vitin 1948, 1953 dhe 1961, Beograd, 1965.

Burimi:  Regjistrimi i popullsisë së RSFJ-së i vitit 1961., Libri  X, Popullsia dhe ekonomitë shtëpiake në vitin 1948, 1953 dhe 1961, Beograd, 1965.

Me ndarjen e atëherëshme politike-territoriale, territori i Preshevës ishte i organizuar në nëntë (9) Këshilla popullore vendore: 

Këshilli popullor vendor i Gosponicës, me këto vendbanime:  Bukoc, Gare, Shoshajë e epërme, Gosponicë, Ilincë, Maxhere dhe  Ranatoc;

KPV Zhunicë: Golemi Dol, Zhunicë, Leran dhe  çukarkë;

KPV Miratovc: Miratoci dhe Cakanoci;

KPV Preshevë: Kurbalia, Norça, Rahovica, Presheva, Tërnava dhe  Reka e Tërnavës;

KPV Raincë:  Bërçeci, Gramada, Letovica dhe  Rainca;

KPV Svinjishtë: Lanik, Svinjishte, Sebrat dhe Uzovo;

KPV Strezoc: Geraj, Slavujevc dhe  Strezoc;

KPV Ceravajkë: Buiq, Depcë, Peçenë, Sefer, Stanec dhe  Ceravajkë;

KPV Corroticë: Bukuroc, Shoshajë dhe  Corroticë.

Vendbanimet: Gramada, Sebrat dhe  Uzovo më vonë iu  bashkuan komunës së Bujanocit.         

NDARJA POLITIKE-TERRITORIALE E RFPJ PASQYRË KRAHASUESE E VITEVE  1958 – 1953   

Me Ligjin federativ mbi Këshillat popullore të vitit 1952 dhe me Ligjin mbi ndarjen administrative-territoriale të RP të Serbisë  (Sl.glasnik NRS, br.15/1952), territori i  Serbisë ndahet : në komuna, rethe (12) dhe në qytete (7).ndërkaq Këshillat popullore përcaktohen si „organe lokale dhe organe të vetëqeverisjes popullore“.

Me Ligjin mbi territoret e komunave dhe retheve  në RP të Serbisë të vitit 1959 (Sl.glasnik NRS, br. 51/1959) përcaktohen 21 rethe në Serbi, pra shtohen nëntë  rethe më tepër, kurse në „Rajonin (Krahinën) autonome të Kosovës dhe Metohisë“, hiqen tërësisht rethet.

Pra, me këtë Ligj përcaktohet që në Kosovë të ket vetëm komuna, të cilat lidhen drejtpërdrejtë me organet republikane, pa ndërmjetësim të retheve.

Me këtë Ligj Kosovës i pamundësohet që të udhëheq çfarëdo politike rajonale apo autonome ose së paku të ket çfarëdo lloji të pavarësisë autonome administrative.

Në këtë kohë fillon edhe aksioni i njohur i mbledhjes së armëve nën udhëheqjen e UDB-ës në krye me Aleksandër Rankoviqin. Këto presione mbi Shqiptarët shkaktuan shpërngulje të mëdha në Turqi, si dhe deklarimin e tyre si „turqë“, për t’i shpëtuar sadopak represalieve dhe dhunës së madhe që ushtrohej mbi ata.           

Në këtë hartë grafike shihet situata e ndryshimit të kufirit me Kosovën (komunën e Gjilanit) dhe zgjërimi i territorit të rethit të Bujanocit (komunës së Preshevës) me 7 (shtatë) fshatrat e përmendur: Stanec, Sefer, Caravajkë, Peçenë, Maxhere dhe Ranatoc.

Në bazë të Kushtetutës së RFPJ-së të vitit 1963, si dhe Kushtetutës së RP të Serbisë të vitit 1963, Këshillat popullorë të komunave u shndërruan në Kuvende komunale (Sl.gl. NRS, br. 14/1963).  

Ndryshimet e përmendura kushtetuese, si pasojë kishin faktin se tani për herë të parë në historinë e Jugosllavisë socialiste, Presheva paraqitet si njësi e veçantë administrative-territoriale–si komunë.               

                           HARTA KRAHASUESE E KOMUNAVE NË VITIN 1961.

Me Ligjin kushtetues mbi abrogimin e retheve  në RP të Serbisë në vitin 1966, rethet hiqen definitivisht më 31 mars të vitit 1967.Me Kushtetutën e RSFJ-së si dhe me Kushtetutën e RS të Serbisë të vitit 1974, komuna bëhet „bashkësi themelore shoqërore-politike dhe vetëqeverisëse“ me kompetenca  të gjëra“ në ekonomi, arsim, në sistemin gjyqësor, në polici, në lëmin e mbrojtjes popullore e tjera.

                       HARTA KRAHASUESE E KOMUNAVE NË VITIN  1961. 

Pra, siç u pa edhe nga hartat e prezentuara grafike, ndarjet administrative-territoriale ishin mjaft të shpeshta  gjatë historisë, si  në kohën e Mbretërisë SKS, në Mbretërinë e Jugosllavisë, ashtu edhe në periudhën e Jugosllavisë socialiste. Ky  model i ndryshimeve administrative-territoriale, nga ajo kohë ka mbetur i pandryshuar deri  më sot në Serbi.

 Ndërkaq, në Kosovë janë bërë ndryshime të shpeshta administrative-territoriale, që kishin për qëllim formimin e komunave të reja  me shumicë Serbe. Këto posaçërisht intensifikohen pas demostratave të studentëve Shqiptarë të vitit 1981, pas të cilave u lansua teza mbi rrezikimin e Serbëve në Kosovë, por edhe në tri komunat: në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Trumpetohej nga pushteti dhe Lidhja e komunistëve se serbët po shpërngulen nga këto treva për shkak të „presionit të nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptar“. Ky proces i formimit të komunave të reja  me shumicë serbe në Kosovë është duke vazhduar edhe sot, në bazë të obligimeve që rezultojnë nga Pakoja e Ahtisarit, që kanë për qëllim sigurimin e të drejtave më të mëdha për serbët në Kosovë.

Pra, rëndësia rajonale e Preshevës si qendër administrative-territoriale rrënohet plotësisht  në Jugosllavinë socialiste, sidomos në periudhën deri në vitin 1974. Pasojat ishin të mëdha për Preshevën, e cila sahënonte ngecje permanente në zhvillim, sepse pushteti i Serbisë  investimet industriale dhe  infrastrukturore i orientoi kryesisht në Bujanoc dhe Vranjë. Kështu, diferencat e të ardhurave kombëtare „per capita“ në krahasim me mesataren e Serbisë rriteshin pëherë e më tepër, kuptohet, në dëm të Preshevës. Në fund të kësaj periudhe, ato arritën nivelin gjashtë herë më të vogla se mesatarja e republikës së Serbisë, me një papunësi rekorde të popullsisë.

Duhet theksuar se, edhepse pas vitit 1974 forcohet rëndësia e komunës dhe shtohen radikalisht kompetencat e saja, megjithatë politika e zbatimit të kompetencave të saja që buronin nga ligjet, reduktohej shumë nga udhëheqja e Lidhjes së komunistëve, e cila vepronte sipas parimit të „centralizmit demokratik“ dhe vendimet më të rëndësishme politike për Preshevën merreshin në Leskovc dhe Vranjë.

Vërejtje: Ky artikull është publikuar në presheva.com më 9.10.2011. Mirëpo, për shkak të aktualizimit  të kësaj problematike me propozimin e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovë z. Lutfi Haziri për kthimin e gjendjes para vitit 1956, po e publikojmë sërish. Shpresojmë se lexuesit do të kenë mundësi ta shohin gjendjen e atëherëshme dhe pozitën territorial të Preshevës dhe Bujanocit. Ndërkaq, në komunën e Medvegjës, korrigjimet dhe ndryshimet territoriale midis komunave  nuk e kanë prekur pozitën e fshatrave shqiptare në atë komunë.

Pra, mund të konkludohet fare qartë se Lugina e Preshevës nuk fiton asgjë poqese kthehet gjendja e atëhershme territoriale dhe nuk do t’i plotësonte kërkesat e popullit të Luginës së Preshevës të deklaruara si vullnet i saj për autonomi politike e territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën.

SHPËRNDAJE