Po u thua korporatave pa përzgjedhur midis tyre që s’kanë nevojë të brengosen për të drejtat e punëtorëve, mjedisin a ritmin e shfrytëzimit të resurseve, sepse je i gatshëm që të varesh prej ndjekjes që ato do t’ia bëjnë profitit vetjak.Me politikat aktuale qeveritare Kosova do të përdoret për lëndë të parë dhe si vend transit, ndërkaq populli i Kosovës si konsumator. Punësim eventualisht do të ketë në ndërtim të infrastrukturës dhe në nxjerrjen e lëndëve të para. Po them eventualisht, meqë të papunët tanë janë përgjithësisht të pakualifikuar dhe ende jo shumë të lirë, ashtu siç do të dëshironin korporatat e huaja. Neokolonializmi nuk ka brirë. Apo, ndoshta, tashmë po i shohim edhe brirët e tij.
Në njërën anë, minierat e Trepçës dhe thëngjilli, kurse në anën tjetër, asfalti i “Bechtel-Enka”-s. Ky pra është vizioni ekonomik i qeverisë së Kosovës. Minierat dhe qymyri të shiten përmes privatizimit të egër, ndërsa asfalti i nxehtë të shtrohet përmes buxhetit të Kosovës me çmim të dyfishuar.
Qeveria e Kosovës nuk e do qytetarin e Kosovës as si punëtor e as si pronar, por si konsumator. Papunësia po rritet nga viti në vit: mbi 30 000 të rinj për çdo vit hyjnë në tregun e punës ku nuk ka punë. Njëkohësisht, nuk pamë as përpjekjen më të vogël qeveritare për ta nxitur e organizuar bërjen e qytetarëve aksionerë të pasurisë dhe zhvillimit të Kosovës.
Kur të inkurajojnë vetëm për të qenë konsumator pa mundësinë që të jesh punëtor a pronar, shpejt s’ia del dot as si konsumator. Bie fuqia blerëse e njerëzve dhe inflacioni nuk ndalet – një mall që para katër vjetëve në Kosovë blihej me dy euro sot s’blihet dot as me tri.
Shtetet e zhvilluara, edhe atëherë kur e kanë bërë privatizimin, i kanë pasur parasysh interesat strategjike politike për vendin, numrin e punëtorëve, të drejtat e punëtorëve, rritjen ekonomike, ndikimet ambientale dhe nuk kanë vepruar me nxitim. Mbi të gjitha, privatizimi ka qenë përbrenda një programi zhvillimor që faktorin vendës e konsideron vendimtar.
Pse, çka, kur dhe si do të bëhet privatizimi në ndonjë ndërmarrje, te shtetet e zhvilluara e demokratike ka shkaktuar debate të gjera e të gjata, publike e parlamentare. Vetëm në fund janë marrë vendimet dhe vetëm atëherë kur është dëshmuar racionalisht përfitimi që do të arrihet.
Ajo që e kemi trashëguar duhet trashëguar më tutje. Sjelljet e papërgjegjshme me pasurinë e përbashkët i kushtojnë jo vetëm brezit tonë, por edhe gjeneratave të ardhshme. Shtetet që nuk kanë qenë të kujdesshme me privatizimin e kanë paguar shumë shtrenjtë çmimin: prej papunësisë së shtuar e tjetërsimit të pasurive kombëtare deri te katastrofat ekologjike.
Shitja e asaj që nuk është e jotja është vjedhje dhe vjedhja është krim. Privatizimi i pasluftës në Kosovë është pikërisht këso lloj shitje. Mjetet nga privatizimi mbeten të bllokuara jashtë vendit, përveç ryshfetit që përfundoi në xhepat e ministrave dhe kryeministrave. Sa më lirë që u shitën ndërmarrjet aq më i madh ishte ryshfeti për to.
Janë politikanët e privatizimit ata që më së shumti na kanë folur për shenjtërinë e pronës private dhe më së shpeshti mu atëherë kur jeta e shumë njerëzve diku nuk është konsideruar aspak e shenjtë. Pas çdo shenjtërimi të pronës private fshihen jetët e çshenjtëruara të njerëzve.
Për çdo ditë po dëshmohet që privatizimi nuk është kurrfarë e vërtete e ekonomisë. Gjithçka duhet t’i nënshtrohet studimit e analizës deri në rishqyrtim të gjithçkafit.
Konsiderimi i privatizimit si një vlerë e padiskutueshme dhe pikënisje për zhvillim më shumë ka sjellë zhgënjime, dëshpërime, humbje dhe vuajtje për njerëzit anembanë globit dhe jo vetëm te ne, sesa përfitime e suksese. Ose, për të qenë më të saktë, shumicës dërrmuese i ka sjellë dëme kurse vetëm pakicës leverdi.
Nga një pikëvështrim më i largët në të ardhmen, kur të shikohet e sotmja jonë, do të duket që politikanët, të cilët u instaluan në qeveritë e pasluftës dhe mburren se e kanë çliruar Kosovën ndoshta e paskan bërë këtë për ta shitur Kosovën.
Shumëçka njëmend moti ka filluar, por asgjë ende s’ka përfunduar. Nëse Kosova nga një shtet i dobët siç është do të arrijë t’i hyjë shtegut të zhvillimit dhe mirëqenies, apo do të bëhet një shtet i dështuar, varet nga ajo se çka do të ngjajë me PTK-në, KEK-un e Trepçën. Fati i shtetit të Kosovës varet aq shumë nga fati i telekomunikacionit, energjisë dhe minierave të Kosovës.