Ishte pjesë e ekipit që ka këshilluar ish presidentin Ibrahim Rugova në Rambuje në fillim të viteve të 90-ta, pastaj ishte pjesë e ekipit për Marrëveshjen e Ahtisaarit e pothuajse gati dy dekada rresht këshilloi qeveritë e Kosovës në bisedime me Serbinë.

Mark Weller, ekspert i çështjeve ndërkombëtare ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, marrëveshjet e arritura ndër vite, “Planin franko-gjerman” e shumëçka tjetër.

Weller ka thënë se kjo marrëveshja nga takimi i fundit mes dy vendeve, është një hap, por është një hap drejt një hapi tjetër edhe më të madh që çon drejt qëllimit kryesor.

“Të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës e kanë bërë të qartë se kjo marrëveshje thjesht e skicon rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Dhe normalizimi i plotë në fund do të përfshinte njohjen formale të Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo marrëveshje nuk e ofron këtë, por ofron disa gjëra në mes ngase marrëveshja ofron atë që Serbia dhe Kosova, në fakt, duhet ta trajtojnë njëra-tjetrën si shtete edhe pa e njohur ende plotësisht njëra-tjetrën si shtete”- ka thënë Weller.

Weller cilëson që Kosova të vazhdojë me kërkesën kryesore të saj që është njohja nga Serbia por që sipas tij askush nuk priste që kjo kërkesë të përmbushej në shkurt ose mars të vitit 2023.

Weller ka shtuar se Bashkimi Evropian ka kërkuar që Serbia të mund të bëhet anëtare e BE-së vetëm nëse arrin atë që quhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Zoti Biden dhe të tjerët e kanë bërë të qartë se kjo do të thotë njohje e Kosovës dhe se procesi duhet ta ketë në qendër njohjen e Kosovës. Dhe kjo është një arritje e re e politikanëve vetëm tani së fundmi në Kosovë, pra që kanë arritur ta çojnë procesin më shumë drejt atij qëllimi sesa të lidhin gjithnjë e më pak marrëveshje për këtë apo atë aspekt tjetër specifik”- ka thënë Weller.

Weller më tej ka thënë se Bashkimi Evropian dhe amerikanët po përpiqen t’i bëjnë Serbisë një zgjedhje të qartë.

“A je me neve, a je pjesë e perëndimit, a po i ndan vlerat e Bashkimit Evropian me ne? E nëse po, atëherë ju duhet të mbani një qëndrim të qartë për Kosovën, por edhe në atë rast ekziston një ndjenjë se duhet të ofrojmë, pra që BE-ja duhet të ofrojë një perspektivë të qartë të anëtarësimit. Për këtë arsye procesi i përmbushjes së kushtit të normalizimit të plotë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës tani po bëhet në mënyrë të përshpejtuar”- ka thënë Weller.

Weller vlerëson që Kosova është në një pozitë të mirë strategjike, kjo ngase sipas tij, Serbia duhet të japë diçka që është shumë, shumë e vështirë. Pra, Serbia duhet të heqë pjesën nga Kushtetuta e saj që pretendon se Kosova është pjesë integrale e Serbisë dhe duhet ta njohë Kosovën.

“Nëse Kosova angazhohet në mënyrë konstruktive në të gjitha pjesët e kësaj marrëveshjeje fillestare në rrugën drejt normalizimit të plotë, atëherë Serbia nuk mund të fshihet pas argumentit se Kosova po e pengon procesin dhe rrjedhimisht çështja e njohjes ende nuk ka dalë realisht në diskutime”- ka thënë Weller.

Weller edhe më tej duke folur për marrëveshjen ka thënë se ajo i kërkon Serbisë ta trajtojë Kosovën në përputhje me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, duke përfshirë mospërdorimin e forcës dhe të mos kërcënojë për përdorimin e forcës.

“Kosova dhe Serbia duhet të shkëmbejë edhe misione diplomatike, edhe pse ato quhen misione të përhershme dhe jo ambasada, por ato janë ambasada në çdo aspekt, përveç emrit. Pra, duhet të konfirmojë, në fakt, edhe në realitet ta trajtojë Kosovën si një shtet me të cilin ndjek rrugën drejt normalizimit dhe ky është një ndryshim i madh”- ka thënë Weller.

Weller gjatë intervistës në emisionin #KallxoPernime ka ftuar të gjithë kritikuesit e marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë, ta ‘freskojnë’ kujtesën e të kujtojnë se ishte një qeveri tjetër që në vitin 2013 e pati nënshkruar marrëveshjen e parë të Brukselit e që e premtoi themelimin e këtij Asociacioni.

Sipas tij për këtë arsye është ndoshta pak e pasinqertë tani të ankohen për këtë marrëveshje.

“Por përsëri, edhe kjo e ndoshta edhe qeveritë e mëparshme kanë qenë të suksesshme në çuarjen e debatit përpara. Nëse e shikoni marrëveshjen dhe do të jetë e dobishme që ata që e kritikojnë së pari ta lexojnë atë me shumë vëmendje, do të shohim se fjala Asociacion i Komunave me Shumicë të Serbe nuk përmendet askund në marrëveshje”- tha Weller.

Ndryshe, edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, beson se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë së shpejti me sukses, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Profesori i drejtësisë dhe gjykatës ndërkombëtare që e ligjëron në Universitetin e Kembrixhit, Weller, ka thënë se Republika Srpska është një shembull shumë i keq që nuk duhet të ishte pranuar kurrë në atë formë ngase ajo vulosi ndarjen e Bosnjës, edhe nëse shteti i Bosnjës si tërësi do të vazhdonte. Një gjë e tillë, sipas tij nuk është propozuar as në pikat e marrëveshjes së arritur në vitin 2013 në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Është e dobishme kjo marrëveshje e re, sepse kjo sqaron se po flasim për një Asociacion ku komunat që bashkëpunojnë në zbatimin e autoritetit që tashmë e kanë si komunë, dhe për këtë arsye nuk u shtohet asnjë autoritet tjetër përveç mundësisë për të koordinuar atë që tashmë e bëjnë, pra të koordinohem më shumë së bashku”- thotë Weller.

Weller ka shtuar se përvoja e Kosovës në të kaluarën ka qenë që nëse thotë jo dhe nuk bën asgjë më tutje, në fund do t’i imponohet një zgjidhje që nuk dëshiron ta ketë.

Prandaj sipas tij është shumë më mirë që Kosova të dalë dhe të ofrojë vizionet dhe propozimet e veta.

“Por është vetëm një komunitet(serbët) dhe për këtë arsye nuk ka gjasa që ata të formojnë një Asociacion të vetin në këtë moment”- ka shtuar ai.

Tutje Weller si këshilltar i Qeverisë, e cila nënshkroi marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015, ka thënë se si të

“Ajo ka pasur një buxhet për të ndihmuar në restaurimin dhe mirëmbajtjen e manastireve dhe objekteve të tjera që Kisha Ortodokse Serbe ndoshta nën drejtimin e Beogradit nuk ka qenë në gjendje t’i tërheqë. Dhe Kosova duhet të përpiqet të shohë se deri në çfarë mase do të jetë e mundur të ketë një dialog të drejtpërdrejtë me autoritetet e kishës”- shtoi Weller.

Weller ka thënë gjithashtu se ka vend për të gjitha komunitetet në Kosovë, pra ka vend për komunitetin etnik serb dhe që me kalimin e kohës duhet të bëhet e qartë se angazhimi me autoritetet e Kosovës, në vend të mbështetjes te serbët dhe është rruga përpara në këtë kontekst të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me një fjalë, kjo ofron elemente të njohjes de facto dhe e arrin çështjen e asociimit dhe i lejon Kosovës që, të paktën tani në fazën e bisedimeve për udhërrëfyesin e zbatimit të Marrëveshjes, të insistojë që kjo çështje duhet të trajtohet në një mënyrë që është plotësisht në përputhje me legjislacionin aktual dhe Kushtetutën e Kosovës”- thotë Weller.

Weller ka shtuar se me pranimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova ka marr një kthesë vërtet konstruktive, pasi që sipas tij rrethanat e viteve të kaluara në njëfarë mënyre i kanë lejuar komunitetit ndërkombëtar ta paraqesë Kosovën si palën problematike, sepse kjo ishte e përshtatshme duke pasur parasysh synimet dhe presionet e tjera gjeopolitike që ata po përpiqeshin t’i adresonin.

“Mendoj që pala serbe tashmë është kthyer në Beograd dhe ka thënë se ata kurrë nuk do të dorëzojnë një nga pjesët e marrëveshjes, pika që ka të bëjë me pikën e lehtësimit të anëtarësimit të Kosovës në OKB”- shton Weller.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thyer shpresat e Beogradit për nënshkrimin e planit të Bashkimit Evropian shkaku që përfshihet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Weller në fund ka folur edhe për procesion e negociatave në Rambuje duke thënë që rrethanat kur Serbia nuk e nënshkroi këtë Marrëveshje e në anën tjetër Kosova e nënshkroi atë, është pikërisht rrethana që lejoi përfshirjen e NATO-s në atë masë që në fund solli pavarësinë e Kosovës, një fakt ky që askush mund ta heqë tani.

“Rezultati i kësaj ishte që Kosova mundi të shpallte pavarësinë me mbështetjen e miqve dhe aleatëve të saj dhe të merrte njohje nga më shumë se gjysma e shteteve të botës, që është një arritje shumë e madhe duke pasur parasysh se normalisht shtetet refuzojnë të pranojnë shkëputjen, për shembull, shikoni rastin e Katalonisë”- tha Weller.

Ndryshe janë bërë 23 vjet që nga Konferenca e Rambujesë që u mbajt në Paris.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit, por delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

SHPËRNDAJE