http://www.botasot.info/img/jackson-mama.jpg“Dënimi për Murray nuk më kthen djalin, por drejtësia funksionoi”. Kështu është shprehur Katherine Jackson, nëna e këngëtarit të ndjerë Michael Jackson, pasi mësoi se mjeku Conrad Murray u dënua me 4 vjet burg me akuzën e vrasjes së pavullnetshme të shkaktuar nga pakujdesia.

“Katër vite burg nuk më kthejnë djalin tim, nuk janë mjaftueshëm. Gjithsesi, ne kemi pritur shumë që të merrej një vendim dhe nuk i mbajtëm dot lotët e gëzimit. Edhe pse Michael nuk do të kthehet, e rëndësishme është që drejtësia bëri punën e saj. Po pres me padurim të kthehem në shtëpi dhe të kaloj kohë me fëmijët e Michael”, u shpreh Katherine.

Katherine Jackson ka kujdestarinë e tre fëmijëve të mbretit të popit: Prince (14 vjeç), Paris (13 vjeç) dhe Blanket (9 vjeç).

Vendimi për dënimin me burg të Conrad Murray u mor nga një gjykatë në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara. Avokati i Murray kërkoi mosdënimin e tij me burgim, pasi shpallja fajtor do të mjaftonte për ta persekutuar vitet në vazhdim: ai do të njihej si “njeriu që vrau yllin e pop-it, Michael Jackson”.

Prokurori kërkoi gjithashtu që gjykata të detyrojë Murray-n të dëmshpërblejë fëmijët e Jackson.

Vendimi i jep fund njërës prej cështjeve më të debatueshme në Shtetet e Bashkuara dhe qetëson fansat dhe familjarët e “Mbretit të pop-it”. Ndërkohë, mbipopullimi i burgjeve në Kaliforni mund të reduktojë dënimin e Murray. Sipas mediave amerikane, doktori pritet të vuajë vetëm gjysmën e dënimit të tij, pra 2 vjet, por ai mund të humbë licensën dhe të drejtën e ushtrimit të profesionit të tij si mjek.

Michael Jackson vdiq më 25 qershor të 2009-s në shtëpinë e tij në Los Anxheles, pas konsumimit të një sasie të tepruar qetësuesish, kryesisht propofol.

SHPËRNDAJE