Në një intervistë për “Presheva Jonë”, kryetari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, z. Kushtrim Kadriu, flet hapur për dështimet e qeverisjes lokale nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari Alban Hyseni. Kadriu e quan “spektakël marketingu” ceremoninë e gurthemelit për stadiumin e qytetit dhe thekson se qytetarët nuk do t’i falin më mashtrimet e katër viteve të fundit.

“Ceremonia për stadiumin ishte vetëm për fushatë, jo për sport”

Presheva Jonë: Stadiumi i qytetit është shndërruar në një “serial komik” për qytetarët e Gjilanit, duke pasur parasysh që ky qytet prodhon derbin më të fuqishëm në futbollin kosovar. Tash duket se punimet kanë filluar, por në prezantimin e fillimit të tyre nuk pamë asnjë sportist, as nga Federata e as nga niveli lokal. A ju duket kjo një nismë serioze?

Kushtrim Kadriu: Frikësohem se nuk është një nismë serioze, por thjesht një veprim për konsum politik. Kryeministri Albin Kurti, bashkë me kryetarin e tij në Gjilan, në vend se të organizonin një spektakël marketingu, duhej të kishin kërkuar falje publike për mosrealizimin e këtij projekti tash e disa vite.
Premtuan se stadiumi do të ndërtohej në vitin 2022, më pas në 2023, dhe më pas në 2024 – por gjithçka mbeti fjalë. Kjo është tallje me qytetarët dhe me sportin gjilanas.

“Kjo qeverisje ka shërbyer interesat familjare dhe partiake”

Presheva Jonë: Z. Kryetar, jeni ndër kritikuesit më të mëdhenj të pushtetit lokal në Gjilan. Ju shohim shumë të përkushtuar dhe të familjarizuar me çdo problem të qytetarëve, duke i raportuar sidomos në rrjete sociale. Si e keni parë këtë pushtet të z. Alban Hyseni dhe të Lëvizjes Vetëvendosje? A ka qenë kjo një qeverisje në shërbim të qytetarëve?

Kushtrim Kadriu: Qeverisja e z. Hyseni, fatkeqësisht, nuk ka qenë në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të përmbushjes së nevojave dhe interesave të ngushta familjare dhe partiake. Mandati i tij është drejt fundit dhe Gjilani, përveç punësimeve familjare e politike, nuk është shquar për asnjë projekt serioz e të prekshëm për qytetarët.
Kemi parë punësime të kunatave, dajallarëve, balldeskave e militantëve partiakë, ndërkohë që qytetari i zakonshëm është lënë anash.

“Qytetarët nuk do ta falin më këtë mashtrim”

Presheva Jonë: A mendoni se qytetarët e Gjilanit do t’ia falin sërish besimin z. Alban Hyseni, tash kur jemi afër fundit të mandatit të tij?

Kushtrim Kadriu: Qytetarët e Gjilanit tashmë e kanë parë qartë mungesën e zhvillimit, mungesën e punës dhe boshllëkun e premtimeve. Jam i bindur se ky qytet nuk do t’u japë më besimin atyre që e kanë mashtruar.
Vetëvendosje nuk është alternativë, as për Gjilanin, e as për Kosovën.

SHPËRNDAJE