Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu ka takuar sot, shkrimtarin e njohur shqiptar, Ismail Kadare, konfirmojnë për agjencinë NOA.al, burime nga ambasada amerikane.

Në takim është folur por zhvillimet aktuale në vend dhe për çështjen më të nxehtë të momentit, atë të Presidentit të ri të vendit.

Mësohet se takimi është zhvilluar mes Arvizut dhe Kadaresë në një lokal të njohur i cili gjendet vetëm pak metra larg ambasadës amerikane në Tiranë dhe ka zgjatur një orë e gjysmë nga ora 11.00 deri në 12.30.

Besohet se z.Arvizu i ka propozuar shkrimtarit Ismail Kadare, që të pranojë kandidaturën për të qenë ai presidenti i ri i vendit, një kërkesë kjo që në fakt z.Kadare i ka ardhur disa herë gjatë këtyre dy dekadave. Por zyrtarisht një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Lajmin për takimin e konfirmoi edhe shkrimtari i mirënjohur Kadare, por ai ishte i prerë në deklaratën se nuk është folur për një kandidim të mundshëm të tij. Z.Kadare theksoi se ai nuk ka sërish edhe këtë radhë, asnjë plan për të kandiduar për President.

Gjithsesi mbetet në ditët në vazhdim të mësohet se kush janë emrat që kandidojnë zyrtarisht në Kuvend dhe cili do të jetë kryetari i ri i shtetit.

Votimi i parë për presidentin do të ndodhë pas 24 majit dhe ky do të jetë momenti kur do të verifikohet, nëse presidenti i ardhshëm do të jetë i zgjedhur nga faktorët Sali Berisha dhe Edi Rama apo do të duhet të pritet raundi, kur presidenti zgjidhet me 71 vota. Ky është dhe rasti, kur faktor bëhet me votën e tij çdo deputet. (noa)

SHPËRNDAJE