INTERVISTE ME JONUZ MUSLIUN, LIDER I LEVIZJES SE PROGRESI DEMOKRATIK


 

– Fitorja e forcave radikale në Serbi, paralajmërimet për përfshirjen e serbëve të veriut të Kosovës, në bisedimet e reja shqiptaro-serbe, favorizimi i multietnicitetit në Komunën e Bujanocit në dëm të shqiptarëve shumicë, vazhdimi i dhunës sistematike shtetërore, militarizimi i rajonit, zbrazja në heshtjeve e viseve etnike në Luginën e Preshevës, janë disa nga proceset, të cilat na kthejnë hiç më keq se në periudhën e errët të regjimit diktatorial të Millosheviqit – thotë midis tjerash, Jonuz Musliu, lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik nga Lugina e Preshevës ne initervisten ekskluyive per agjencine informative kombetare “Presheva Jone”

 

 

Presheva Jone: Zotëri Musliu, si e komentoni fitoren e radikalëve në Serbi dhe çfarë presin shqiptarët e Luginës së Preshevës, nga këto ndryshime politike?

 

Jonuz Musliu: Ndërrimet në kreun e shtetit të Serbisë, nuk sjellin surpriza të këndshme për shqiptarët. Si radikalët e Nikoliçit, si demokratët e Tadiçit, mendojnë njësoj për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe statusin e tyre politik. Demokratët sa ishin në pushtet, nuk bënë asnjë hap më shumë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përkundrazi e keqësuan më shumë gjendjen e tyre shpirtërore dhe materiale. Me të njëjtin avaz e kanë filluar edhe radikalët. Rast konkret, këto ditë, kemi djegjen e Ofiçarisë në Bashkësinë Lokale të Zarbicës, për t’i zhdukur gjurmët e një bashkësie shqiptare e cila dikur numëronte më shumë se 3 mijë banorë. Hiç më diskriminuese nuk janë as vazhdimet e proceseve gjyqësore dhe paralajmërimet për arrestime të reja të shqiptarëve, të cilët mendojnë ndryshe nga pushteti dhe bashkëpunëtorët e tij.

 

 

Presheva Jone:Paralajmërimet për përfshirjen e serbëve të veriut të Kosovës, në bisedimet e reja shqiptaro-serbe, si i vlerësoni dhe cili është qëndrimi i subjektit Tuaj, lidhur me këto procese?

 

Jonuz Musliu: Lëvizja e Progresit Demokratik, prej kohësh mban të njëjtin qëndrim për pjesëmarrje të përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në bisedimet shqiptaro-serbe. Nuk mund të ketë një Kosovë stabile e as një Serbi të qetë, nëse nuk zgjidhet drejt dhe qëndrueshëm statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Nuk janë organizuar dhe mbajtur për “sy të zi”: Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, lufta çlirimtare e UÇPMB-së, Marrëveshja Paqësore e Konçulit, Platformat politike etj. Të gjitha këto procese politiko-ushtarake nuk duhet anashkaluar, injoruar dhe nënçmuar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë morale të dinë për fatin e tyre politik dhe askush pa praninë e tyre nuk mund të vendos në tavolina bisedimesh. Çdo përpjekje për t’na lënë jashtë proceseve dialoguese do të përfundoj pa sukses, pa rezultate, pa efekt. Pjesëmarrja e shqiptarëve të Luginës së bisedimet shqiptaro-serbe nuk e dëmton as Prishtinën e as Beogradin, të dy këto qendra të vendosjes do të çlirohen nga një barrë që u rëndon mbi qafë prej shekujsh.

 

Presheva Jone: Cilat do të ishin kërkesat e shqiptarëve të Luginës, po qe se u jepet shansi për përfshirje në bisedimet e reja Prishtinë-Beograd?

 

Jonuz Musliu:  Çështja e pazgjidhur shqiptare në Luginën e Preshevës, çështja e veriut të Kosovës dhe çështja e veriut të Kosovës kanë mbetur si çështje të pazgjidhura në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe paraqesin një konflikt të ngrirë, por me një potencial të frikshëm për shndërrimin e tij, në rrethana të caktuara ndërkombëtare, në një konflikt të ri të armatosur, janë një nga problemet e mprehta që do të ishin shtruar në tavolinat e bisedimeve të ardhshme. Dy anët e litarit të tërhequr nga Prishtina dhe Beogradi, përmes opsioneve: ndarja e Kosovës- Shkëmbimi i territoreve – Ruajtje e integritetit territorial, bëjnë që plagët e thelluara gjatë proceseve luftarake, të mos mbyllen kurrë, por të kullojnë gjak në favor të mbajtjes së përhershme të vatrës së krizës e tensioneve ndërkufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

Pa zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës dhe çështjes së Luginës së Preshevës, Kosova jo vetëm që do të jetë me një stabilitet të brishtë politik dhe e kërcënuar në vazhdimësi, por do të mbetet me probleme të theksuara ekonomike e sociale, pasojat e së cilave do t’i vuajnë vetë qytetarët e saj.

Në këtë situatë, zbatimi i të drejtave në mënyrë reciproke për serbët e veriut të Kosovës, ashtu edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën do të ishte një hap i madh drejt zgjidhjes së problemit. Zbatimi i parimit të reciprocitetit dhe kthimi i shqiptarëve e i të gjithë të shpërngulurve në pronat e veta do t’ia hapte dyert realizimit të plotë të vetëvendosjes për të dyja palët. Kjo do të çonte në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit të gjatë shqiptaro-serb.

 

Presheva Jone: Keni kërkuar ndihmën e institucioneve të Tiranës, Prishtinës dhe faktorëve ndërkombëtarë në këtë drejtim?

Jonuz Musliu: Spektri politik shqiptar përmes një Deklarate politike, vitin e kaluar, ka ftuar institucionet e Bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht Bashkimin Europian, në përdorimin e gjithë mekanizmave ligjorë, politikë dhe diplomatikë të ndikojnë ndaj autoriteteve në Beograd, për braktisjen e metodave diskriminuese ndaj shqiptarëve por, edhe ndërmarrjen e masave të politikës afirmative që duhet të kenë për qëllim vendosjen e standardeve unike rajonale për të drejtat individuale dhe kolektive. Gjithashtu lidershipi shqiptar i Luginës së Preshevës ka konstatuar se Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, shtete demokratike të anëtarësuara në strukturat euro-atlantike së bashku me shtetet tjera ballkanike janë garancë e stabilitetit rajonal, prandaj, kërkon nga institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës angazhim maksimal politik e diplomatik për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke sforcuar angazhimin për respektimin e parimit të reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar me serbët e Veriut të Kosovës;

 

Presheva Jone: Sa është unik faktori shqiptar në Luginë, për t’i përballuar këto sfida?

 

Jonuz Musliu: Faktori politik shqiptar në Luginën e Preshevës, asnjëherë gjatë historisë së këtij rajoni, nuk ka qenë më i përçarë dhe më i deziorentuar. Nuk kemi aktualisht ndonjë mekanizëm, i cili mund t’i bashkoj shqiptarët. Beogradi i ka nuhatur këto ndasi dhe inate të shqiptarëve dhe pa ndërprerë punon për t’i përçarë shqiptarët deri në ekstremitet. Pas zgjedhjeve të majit, të këtij viti, zor e ke t’i grumbullosh këshilltarët shqiptarë të tre kuvendeve për ndonjë seancë të përbashkët, apo për të dalë me ndonjë iniciativë të përbashkët. Në Preshevë është paksa më ndryshe, ngase në këtë komunë subjektet politike serbe nuk arritën të fitojnë asnjë këshilltarë, ndërsa në Bujanoc dhe Medvegjë, gjendja është alarmante. Elementi serb është forcuar shumë në krahasim me elementin shqiptar, i cili gjithmonë ka qenë shumicë në këto dy komuna. Ndërrimet në qeverisjen lokale në Bujanoc, mund të sillnin efekte negative për të ardhmen politike dhe ekonomike të shqiptarëve të kësaj komune. Efektet negative mund të ndikojnë edhe në pazaret politike mes veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Thjesh, spektri politik shqiptar nga Lugina e Preshevës, duhet me urgjencë të nxjerr një Platformë të re, të bazuar në referendum, luftën çlirimtare dhe Marrëveshjen Paqësore të Konçulit, për tu kyçur eventualisht në bisedimet shqiptaro-serbe. Për momentin disponimi politik, në këto komuna për një iniciativë të tillë është paksa i zbehtë. Përçarjet politike dhe inatet partiake e kanë bërë të veten. Vështirë është dikush të marrë një hap të tillë e më vështirë për ta realizuar një nismë të tillë. Pavarësisht nga këto ndasi politike, lidershipi shqiptar duhet të mbledh forcë për tu unifikuar, ngase nuk ka alternativë tjetër.

 

 

Presheva Jone: Këtyre ditëve, është përfolur gjatë se në Komunën e Bujanocit, mund të ndodhin ndryshime në qeverisjen lokale. Sa ka të vërteta në këto konstatime?

 

Jonuz Musliu: Po, ka të vërteta. Ajo që ka ndodh në Bujanoc, nuk ndodh kund në botë. Fitorja e shqiptarëve në zgjedhjet e majit për shqiptarët e Komunës së Bujanocit është kthyer në një zhgënjim dhe dëshpërim të madh. Subjektet politike shqiptare fituan 30 këshilltarë komunalë, në zgjedhjet e reja, e forca e tyre në qeverisjen lokale është më e vogël se minimale. Një parti e re shqiptare u shkëput nga tri parti të tjera dhe u lidh me subjektet politike serbe, duke u dhënë atyre pushtet më shumë se sa u ka takuar në tri mandatet e mëparshme. Gabimet e Partisë Demokratike e dalë nga Partia për Veprim Demokratik, janë të rënda sa as Lumi i Moravës, nuk mund t’i bart. Ajo lëre që nuk u kënaq me gabimin, të cilin e bëri duke hyrë në koalicin me serbët lokal, po vazhdon të rraset me gabime të reja. Gjatë strukturimit të kuadrove të veta në infrastrukturën e qeverisjes lokale multiuetnike, nuk zgjedh mjete e metoda për t’i njollosur dhe degraduar kuadrot shqiptare të opozitës. Me qindra shqiptarë u larguan nga komisionet e funksionet për tu zëvendësuar ato me militantë shqiptaro-serbë nga radhët e koaliciuonit qeverisës multietnik. Jam i bindur se një qeverisje e tillë i ka ditët e numëruara. Nuk mund të qëndroj gjatë një pushtet i pa pushtet dhe pa dinjitet. Opozita shqiptare në Bujanoc është e konsiliduar dhe e përgatitur për t’i hyrë ndryshimeve jo më larg se në vjeshtën e këtij viti. Për këto ndryshime është i gatshëm edhe elektorati shqiptar, i cili e tregoi veten gjatë zgjedhjeve. Në këtë rrugë s’ka kthim prapa! Bisedoi: Arbër Ibrahimi

SHPËRNDAJE