Presidentja Atifete Jahjaga tha sot se ka marrë premtime për njohjen e Kosovës nga liderë të shteteve të ndryshme. Ajo është kthyer sot nga vizita në Itali ku mori pjesë në shënimin e 150 vjetorit të bashkimit të këtij vendi dhe ku zhvilloi takime me homologë nga vende të ndryshme. Jahjaga tha se Kosova gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë e forumeve ndërkombëtare.

Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e shumë iniciativave dhe forumeve rajonale dhe ndërkombëtare. Kështu deklaroi presidentja Atifete Jahjaga pas kthimit nga vizita zyrtare në Itali. Ajo këtë optimizëm e bazoi pas takimeve të shumta bilaterale që ka pasur me shumë liderë të shteteve të ndryshme që ishin prezent në shënimin e festës së 150 vjetorit të bashkimit të Italisë.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se ka marrë edhe premtime për njohjen e Kosovës nga liderë të shteteve të ndryshme, por nuk saktësoi se nga cilat shtete konkretisht. Ajo po ashtu theksoi se disa liderë botëror kanë premtuar se do të lobojnë për njohjen e Kosovës.

Ndryshe, presidentja Jahjaga tha se e kishte bërë të qartë qëndrimin e institucioneve të Kosovës kundër ideve për ndarjen e vendit.

Presidentja mbajti një konferencë me gazetarë në Aeroportin e Prishtinës, të cilin po e botojmë në tërësi:

Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në ceremoninë e 150-vjetorit të bashkimit të Republikës së Italisë, ku morën pjesë edhe mbi 80 burrështetas nga e gjithë bota, ka qenë një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo dëshmon se Kosova bëhet pjesë edhe e iniciativave dhe aranzhimeve të tjera ndërkombëtare.

Gjatë kësaj vizite, të bërë me ftesën e Presidentit të Italisë, z.Napolitano, unë kisha një numër të madh të takimeve bilaterale me presidentë të shteteve të tjera që merrnin pjesë në këtë ceremoni. Përveç bisedave të rregullta, që ishin në kornizën e avancimit të raporteve dypalëshe mes shteteve, kemi kërkuar edhe angazhimin e tyre për përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës, që të përkrahin Kosovën në anëtarësimin në organizatat rajonale dhe globale.

Kosova, me këtë vizitë dhe me vizitën e javës së kaluar, tregon që në mënyrë të fuqishme është duke marrë pjesë në ngjarje në të cilat diskutohen çështje të rëndësisë së veçantë, por edhe për sfidat globale, ku Kosova deri tash ka qenë pjesë e diskutimeve në forume dhe samite të ndryshme. Por, tani Kosova merr pjesë në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera, ku mendimi, fjala dhe rekomandimet që vijnë nga Kosova janë të vlerësuara dhe merren parasysh në mënyrë të barabartë edhe nga shtetet e tjera.

Kjo tregon një gatishmëri të Kosovës për të lëvizur drejt hapave në të cilët kanë lëvizur shtetet e tjera, jo vetëm të Evropës por edhe më gjerë.

Kosova ka pasur rezultate të shumta dhe Kosova është gjithnjë e më shumë duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në bazë të marrëveshjes politike e cila ka kontribuuar në avancimin e shtetit, por edhe për stabilitetin në vend dhe në rajon.

Pyetje: Si e komentoni prishjen e marrëveshjes së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar?

Përgjigje: Unë shpreh keqardhje për vendimin e FMN-së në lidhje me abrogimin e vendimit për marrëveshjen “stand by”. Unë sot jam kthyer nga udhëtimi dhe menjëherë do t’i kem disa takime shtesë dhe do t’i inkurajoj të gjitha institucionet vendore që sa më shpejt që është e mundur t’i përmbushin kushtet dhe obligimet e tyre ligjore, në mënyrë që neve të mund ta marrim hapin drejt arritjes së marrëveshjes sa më shpejt që është e mundur.

Pyetje: A morët garanci në Itali për mosndarjen e Kosovës?

Përgjigje: Në ditën e parë të vizitës në Itali, unë mora pjesë në konferencë “Qyteti ndëretnik”, ku në fjalimin tim i kam ritheksuar qëndrimet e shtetit të Kosovës dhe qëndrimet e mia sa i përket relacioneve me Republikën e Serbisë.

Gjatë takimeve bilaterale me liderët e shteteve që ishin prezentë, unë kam marrë premtime për njohje shtesë të shtetit të Kosovës dhe kam marrë premtime edhe nga liderët e shteteve të tjera, të cilët do të jenë zëri ynë dhe do të angazhohen në lobime për njohjen e shtetësisë së Kosovës.

SHPËRNDAJE