Ish-gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama i është bashkuar sot Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një konferencë për media.

Kreu i PDK-së e ka falënderuar Ramën për besimin në PDK, duke thënë se ai është patriot i dëshmuar, i cili është i shquar për kontributin e tij shumëvjeçar për vendin kudo dhe kurdo që e ka kërkuar nevoja.

“Kam afer nje personalitet qe nuk do prezantim i cili shquhet per kontributin e tij. Rrahman Rama është personalitet që ka dhenë kontribut të jashtëzakonshëm të transformimit të UÇK-së në ushtri të Kosoves. Sot ai ka vendosur t’i përgjigjet thirrjes së tij të brendshme por edhe të PDK-së të aktivizohet edhe njëherë në shërbim të atdheut. Nga sot PDK dhe une kemi nderin qe ta mirepresim si anëtarin tonë të ri”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndërkaq, ish-gjenerali Rama tha se misioni jetësor dhe krenaria e tij më e madhe është shërbimi ndaj Kosovës dhe largimi i tij nga FSK, ishte përmbushje e misionit të tij ushtarak, por jo për t’i shërbyer atdheut.

“Sot, po i bashkohem shtëpisë së madhe politike – Partisë Demokratike të Kosovës, për t’i shërbyer vendit në një cilësi tjetër. PDK është parti shtetformuese e shtetndërtuese, e cila Republikën e Kosovës e ka të shenjtë dhe nuk mund ta lë në mëshirë të fatit, pavarësisht pozicionit të saj. Sidomos në një periudhë të tillë të vështirë, kur sfidat e vendit tonë janë të shumta. E posaçërisht, sfidat në fushën e sigurisë. Sot, detyrë e secilit prej nesh është që me të gjitha kapacitetet tona të angazhohemi për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje, e së bashku të ecim përpara në rrugën drejt fuqizimit të shtetit dhe përparimit e integrimit të tij. Për Kosovën jemi bashkë”, ka shtuar Rama.

SHPËRNDAJE