Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka zbutur qëndrimet ndaj “Qeverisë Thaçi”. Ai ka thënë se qëllimi i tyre është që “Qeveria Thaçi”, të qeverisë më mirë dhe se ata po punojnë që të japin alternativa ku ka vend të punohet më mirë.

Suharekë, 4 qershor –

Këto komente i pari i LDK-së i ka bërë pas një takimi që ka pas me strukturat e Degës së LDK-së në Suharekë,  të shtunën. Në këtë kuadër, Isa Mustafa ka pohuar se LDK-ja do të punojë që kjo qeveri të tërhiqet nëse nuk do të punojë mirë. “Grupet e ekspertëve po punojnë çdo ditë që t’i japin përgjigje ‘Qeverisë Thaçi’ në të gjitha vendimet që merren e që ne konsiderojmë se ka alternativa më të mira dhe që ka vizion tjetër që është në interes të zhvillimit të Kosovës”, ka theksuar ai, duke shtuar se i kanë dhënë hapësirë 100 ditë kësaj Qeverie që të organizohet. “Do të mundohemi, jo që ta dëmtojmë Qeverinë Thaçi, por që të kontribuojmë që qeverisja të jetë më e mirë, dhe ‘Qeveria Thaçi’ nëse nuk punon mirë të tërhiqet”, ka nënvizuar lideri i LDK-së, njëherësh kryetar i Prishtinës. Ai ka bërë të ditur se në takimet që janë duke i zhvilluar nëpër degë, LDK-ja ka për qëllim që të identifikojë fushat në të cilat do të fokusohet në të ardhmen. Mustafa, ka thënë se LDK-ja duhet të mësojë nga gabimet e mëparshme, që të mos përsëriten ato. / Koha.Net

SHPËRNDAJE