Bllokimi që Irani po ua bën programeve të informimit kanë ndikuar në transmetimet e Shteteve të Bashkuara që nga Maroku, Evropa Lindore e deri në Indonezi, ka njoftuar Bordi i Guvernatorëve të Transmetimit (BBG).Operatori satelitor Eutelsat ka konfirmuar se pengesat vijnë nga Irani.

Përveç shërbimeve iraniane të Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë, pengesat kanë ndikuar edhe në një numër të konsiderueshëm transmetimesh satelitore radio-televizive të BBG-së.

Vështirësi në transmetim kanë programet në Gjeorgji, Kosovë, Bosnjë, Armeni, Kore dhe vende të tjera.

Përveç transmetimeve amerikane, nga bllokimi është penguar edhe British Broadcasting Corporation, BBC.

BBG, i cili mbikqyrë të gjithë transmetuesit ndërkombëtarë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Radion Evropa e Lirë dhe Zërin e Amerikës, ka njoftuar se bllokimi satelitor është i ndaluar me ligjet ndërkombëtare të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.

Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë vazhdojnë të transmetojnë programet e tyre, nëpërmjet rrugëve të tjera satelitore dhe nëpërmjet internetit.

SHPËRNDAJE