INTERVISTË ME DEPUTETIN E PARTISË DEMOKRATIKE TË KOSOVËS, z. ELMI REÇICA

Udhëheqësi për riorganizimin e PDK-së në Mërgatë, deputeti Elmi Reçica ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për “Presheva Jonë” për punën e madhe që ai me ekip po e bënë për ta kthyer besimin e qytetarëve të mërgatës. Ai flet për qëndrimin e gjatë që po e bënë anekënd vendeve ku jetojnë shqiptarët në mërgatë dhe ku po pritet nga shumë qytetarë. Reçica ka treguar se PDK tashmë ka konsoliduar strukturat udhëheqëse në Zvicër me kryetar Ragip Xhaka, pastaj Degën e Suedisë dhe tanimë ka filluar për të formuar 6 degë të PDK-së në Gjermani dhe ka nisur punën për organizime në Francë, Austri, Britani të Madhe. Reçica ka folur në këtë intervistë edhe për zhvillimet e fundit politike, për reformat që po i vazhdon PDK në opozitë si dhe për të ardhmen e Luginës e Preshevës.  
Prishtinë, 2 Korrik
“Presheva Jonë”:  z. Reçica, jeni deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, por edhe me detyra nga Partia Demokratike e Kosovës që të riktheni mbështetjen e mërgatës në subjektin tuaj në diasporë, apo siç e quani ju, në mërgatë. Qysh po ju shkojnë punët, sa janë të interesuar mërgimtarët që të rikthejnë mbështeten për PDK-në?
Elmi Reçica: Tash e tri vite, PDK është në opozitë dhe fatkeqësisht asgjë e mirë nuk ka ndodhur në këtë vend përgjatë këtyre viteve. Jeta e qytetarit të Kosovës sot është dukshëm më e keqe se para tri viteve. Është shumë më e shtrenjtë, me shumë sfida të mbijetesës dhe pa asnjë mbështete esenciale nga Qeveria. Kushdo që i krahason projektet dhe investimet që ka bërë qeverisja e PDK në tri vite me këto tri vite që kaluan, mund ta kuptojë fare lehtë dallimin. Kjo dëshmon se qeverisja e PDK-së me partnerë i kanë dhënë shumë të mira vendit dhe në këto tri vite, në vendin tonë ndonjë gjë e mirë as që është filluar, e lëre më të përfundojë. Vetëm për saktësim, Partia Demokratike e Kosovë ka udhëhequr me Qeverinë nga viti 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë e deri më 2014 kur i fituam bindshëm dhe zgjedhje dhe u bllokuam dhunshëm nga humbësit e atyre zgjedhjeve dhe që nga ajo kohë deri më 2019 kemi qenë pjesë e qeverive për ta ruajtur rendin demokratik që po kërcënohej nga një opozitë e dhunshme. Në zgjedhjet e vitit 2019, PDK e ka parë veten në opozitë me vendim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ku menjëherë kemi filluar të riorganizohemi dhe në njëfarë mënyre ta shohim një komunikim më ndryshe me qytetarët, si përbrenda Kosovës, ashtu edhe në mërgatë. Një kohë të gjatë, me mërgatën tonë kemi pasur një abstenim të organizimit dhe kjo është bërë me qëllimin më të mirë të mundshëm, kjo pasi që pas pavarësimit të vendit, në vitin 2009, ka qenë një vendim i presidentit të atëhershëm z. Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi që, pas krijimit të shtetit, qytetarët tanë në mërgatë nuk duhet që të ndahen në parti, por që organizimi i tyre të jetë në nivel shtetëror përmes Ambasadave e Konsullatave dhe formave të tjera shtetërore.
Duke pas parasysh se në mërgatën tonë gjithmonë ka pasur përplasje e opsione të ndryshme edhe politike por edhe kombëtare, për ti ikur kësaj, vendimi ka qenë që të pezullohet aktiviteti politik (partiak), e në ndërkohë një lëvizje e cila në thelb ka qenë anti-shtetërore, pra Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar të mbajë aktivitete me mërgimtarët tanë dhe si rezultat i sajë, ju e dini se në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar rreth 80% të mërgimtarëve tanë e kanë votuar pikërisht Lëvizjen Vetëvendosje duke përdorur populizëm të rrezikshëm dhe manipulime të skajshme e anti-shtetërore.
Foto me aktivistet e PDK-se ne France
Ne kemi marrë vendim që të jemi në mërgatën tonë e unë jam caktuar që të jem drejtor i Departamentit për Diasporë, e aktualisht është një komision për organizimin e PDK-së në mërgatë, e në kuadër të kësaj sidomos ky vit ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm e produktiv i PDK-së në mërgatën tonë. Kemi krijuar deri tani tri degë, tre kuvende. Kemi mbajtur një kuvend në Suedi përmes procesit të bazuar në statutin e partisë, ku përmes votës së fshehtë kemi zgjedhur të gjitha organet e partisë dhe tash jemi duke punuar që të organizohemi edhe poshtë, tek degët e nëndegët. E kemi mbajtur një kuvend jashtëzakonisht produktiv në Zvicër ku kemi themeluar 17 nëndegë me kryesi dhe të dielën janë zgjedhur edhe organet e ngushta të kryesisë, ku është përmbyllur si i suksesshëm i tërë organizimi në Zvicër, ku me vota të fshehta është zgjedhur si kryetar një figurë që ka një emër të veçantë, z. Ragip Xhaka i cili megjithëse është babai i dy djemve Xhaka që po na bëjnë krenar në futboll, por, z. Ragip ka merita të veçanta sidomos në angazhimin e tij politik e kombëtar si i burgosur politik, ku unë bashkë me të kam qenë në Burgun e Dubravës. Kemi krijuar degë edhe në Gjermani, ku gjithsej i kemi deri tani gjashtë. Kemi filluar me Republikën e Bavarisë ku e kemi themeluar një këshill për organizimin e kuvendit të degës së PDK-së për Bavari, pastaj edhe pesë degë të tjera për Gjermani dhe njëkohësisht e kemi organizuar një këshill që e kemi quajtur Këshilli për Organizimin e Degëve të PDK-së për Francës.

Kanë qenë njerëz që kanë përfaqësuar tri qytete të Francës, nga Parisi, Lyoni, Strasburgu dhe nga Meci. Jam duke punuar që kuvendin e degës të arrijmë ta organizojmë kah vjeshta e këtij viti, do të thotë se kemi kontakte dhe komunikim edhe me vende tjera skandinave. Pastaj në Austri, Itali, Belgjikë e Britani të Madhe sikurse edhe në vende tjera, çka na bënë të besojmë se PDK është duke u kthyer fuqishëm, kjo falë edhe një ekipi jashtëzakonisht të fuqishëm të organizuar që nga kryesia dhe pjesa tjetër e njerëzve të cilët një kohë të gjatë janë marrë me mërgatën tonë, ku më bën të besoj fuqishëm se PDK do të rikthehet shumë fuqishëm me prezencën e sajë në mërgatë.

Foto nga Kuvendi i Pergjithshem ne Zvicer, ku kryetar zgjidhet z. Ragip Xhaka – Ne te djathte.
“Presheva Jonë”: Cilat janë pritjet e juaja në mërgatë?
Elmi Raçica: Unë besoj në një reformë zgjedhore deri në zgjedhjet e ardhshme, ku jemi të vendosur që mërgata jonë të përfaqësohet në Parlament me njerëzit e tyre, për çka duhet konsensus. Unë jam shumë i sigurt se në zgjedhjet e ardhshme vërtetë do të shihet se kush e ka mbështetjen e mërgatës. Le ta harron Albin Kurti se do ti përsëritet rezultati i viti 2019. Mërgata jonë tashmë e ka parë manipulimin e mashtrimin e këtij kryeministri që ka folur shumë premtime të mëdha e nuk ka bërë asgjë. Unë e them këtë duke u bazuar pasi që kohët e fundit kam qëndruar plot 90 ditë në mërgatë, ku kam qëndruar me ta, i kam dëgjuar hallet e problemet e tyre por edhe idetë brilante që i kanë për të ardhmen e vendlindjes dhe saktësisht e di se çka ju nevojitet atyre, dhe ne do të veprojmë.
“Presheva Jonë”:  z. Recica, jeni ndër figurat themeltare e organizative të PDK-së dhe keni qenë pjesë e çdo procesi të rëndësishëm në çlirimin dhe pavarësimin e vendit. Tani ju shohim krah lidershipit të ri që i keni dhënë mbështetje të rinjve në udhëheqje, si po pritet kjo tek elektorati dhe strukturat brenda dhe jashtë vendit?
Elmi Racica: Së pari, më lejoni të theksoj se Partia Demokratike e Kosovës është themeluar nga të rinjtë e Kosovës më 1999 ku shumë idealistë e të rinj të guximshëm ishin bërë bashkë për të luftuar për lirinë e vendit dhe pas arritjes së lirisë morën përgjegjësinë për organizimin e tyre politik. PDK pësoi një goditje të rëndë dhe më 2019 është hendikepuar pasi që dy liderët e saj janë duke u mbajtur padrejtësisht në Hagë duke pritur një proces që nuk po ndodhë ende. Ky hendikep sigurisht se ka ndodhur në tërësinë e zhvillimit brenda PDK-së. Siç e thatë edhe ju, PDK me kohë ka investuar shumë në të rinjtë, e sot, ata të rinj tash janë duke e drejtuar PDK-në. Kjo zhvillueshmëri normale nënkupton se brenda PDK-së ka një potencial të jashtëzakonshëm edhe pse të rinj në moshë, janë shndërruar në lider të vërtetë. Kryetari Memli Krasniqi është dikush që është rritur me PDK-në, jo vetëm politikisht por edhe si moshë, ku ka kaluar të gjitha përvojat politike institucionale deri sot kur është në krye të partisë.
Partia Demokratike ka vizion dhe me kohë jo vetëm se ka mbështetur, por edhe i ka nxitur përpara që të krijojmë një ekip të tillë me njerëz të tillë që ti prijnë proceset, në PDK as nuk të falet suksesi, por as nuk privohesh nga suksesi nëse e meriton. Ju e dini se brenda PDK-së ka personalitete të shquara jo vetëm nga lufta e fundit, por edhe nga rezistenca e hershme kombëtare, që përmes formave të veprimit të mundshme në atë kohë, kanë kontribuar jo vetëm për ta mbajtur gjallë aktivitetin politik kombëtarë, por edhe kanë krijuar kushte për themelimin e ushtrisë, pastaj PDK ka edhe pjesën e intelektualëve ku më duhet të them se derisa intelektualët e partive të tjera kanë shkruar libra me proza e poezi, intelektualët tanë kanë shkruar dokumente themeltarë të shtetin tonë, kanë shkruar Kushtetutën siç është rasti me z. Arsim Bajrami e z. Hajredin Kuçi, apo siç është intelektual z. Hoxhaj, një diplomat i karrierës i cili ka ndërtuar miqësi të çmuara për vendin tonë ndër vite. Kjo pra është ajo çka e bënë të veçantë PDK-në, pra ndërlidhjen e të rinjve, intelektualëve, njerëzve të luftës e të rezistencës, duke i mishëruar në atë formë sa nuk mund të paramendohet njëra pa tjetrën.
“Presheva Jonë”:  z. Reçica, kryetari i PDK-së z. Memli Krasniqi qysh në ditën kur mori besimin e Këshillit Drejtues, pati përmendur themelimin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë siç e quani. Duke pas parasysh dështimet e qeverisë aktuale si rezultat i humbjes së betejës me krizat nëpër të cilat po kalojmë si për energjinë, COVID-19 por edhe tani me rritjen e çmimeve të shportës së qytetarëve, a mendoni se KQM do të ishte më efikase në raport me këto kriza, kemi parë disa vërejtje bashkë me zgjidhjet e ofruara për çështje të caktuara?
Elmi Racica: Së pari për opinionin të cilët besojmë që e dinë, PDK nuk i ka bërë opozitë kurrë shtetit sepse e ka një kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e shtetit. Për këtë arsye edhe opozitarizmin të cilin e bëjmë nuk është nihilist. Nuk bëjmë kritikë sa për ta bërë, por ofrojmë alternativa se si do të duhej të bëhej. Kjo është ajo që e bënë PDK-në një parti shtetërore dhe kombëtare, kjo është pra një deja-vu, pasi që ka qenë e njëjta qasje edhe në opozitarizmin e para vitit 2007, ku pas secilës kritikë që kemi bërë, ka qenë alternativa që kemi ofruar e që na është përkthyer në votë, në fitore të fuqishme. Unë mendoj se historia po përsëritet, çdo  vërejtje që bëjmë e ofrojmë edhe mundësinë se si duhet bërë më mirë, këtë e kemi dëshmuar edhe me çështjen e energjisë ku përmes sektorëve të veçantë si deputetëve, komisioneve, e departamenteve brenda KQM-së, kemi arritur që të identifikojmë problemet në thelb e njëkohësisht edhe mashtrimet e këtij kryeministri, po them këtij kryeministri, pasi që këtu është vetëm një njeri, këtu nuk ka ministria apo deputetë, është pra vetëm Albin Kurti.
Pra, ne kemi arritur që pikërisht njerëzit më të afërt të tij ti identifikojmë si mashtrues e manipulues, e normal që me kohë kemi ofruar alternativa se si do të duhej ti ikim krizës së energjisë, meqë paralajmërimet kanë qenë të hershme, ku kemi pasur projekte të Kosovës së Re, ju e dini se kush e ka penguar, projektin Amerikan për gazin të cilin gjithashtu e kemi mbështetur, kjo pasi që sot Kosova burim të vetëm energjie e ka Linjitin, e në fakt ne kemi pasur strategji edhe për energjinë e ripërtrishme, e që Albin Kurti sot ka ndryshuar apo pezulluar atë strategji të cilën është dashur ta prezantojë qysh në muajin Prill, e që ende nuk është bërë një gjë e tillë.
Se a do të qeveriste më mirë PDK, unë mendoj se po natyrisht, këtë e ka dëshmuar në bashkëqeverisje 12 vjeçare, e sidomos për 7 vite me kryeministrin e sajë. Nuk i mohojmë gabimet, PDK ka bërë gabime, por punët dhe projektet e realizuar bashkë me partnerë gjithmonë, pasi që nuk i  ka bërë PDK e vetme punët, ka bërë punën më të mirë të mundshme.
“Presheva Jonë”:  z. Reçica, PDK e ka marrë në vitin 2007 qeverinë me një buxhet prej 680 milion eurove, ndërkohë që e ka dorëzuar në vitin 2019 mbi 2 miliardë euro, apo më shumë se trefishi do të thotë. A mendoni se po vlerësohet pak kjo çështje, pasi që sot kjo qeveri rritjet e buxhetit i reklamon pandërprerë, madje edhe me shifra jo të sakta shpesh.
Elmi Racica: Është shumë esenciale të dihet për aktualitetin se PDK ka krijuar kushte të favorshme të të bërit biznes, të zhvillimit ekonomik të vendit, nuk ka bërë pengesa si kjo qeveri. PDK me atë buxhet 680 milion në vitin 2008 ka hapur projekte gjigande siç ka qenë autostrada “Dr. Ibrahim Rugova”, pastaj Autostrada Prishtinë-Shkup dhe ijëra rrugë të tjera anembanë Kosovës që ishte ende shkatërruar nga lufta. Nxënësit në shumicën e vendeve mësonin në tri ndërrime. Mësuesit, arsimtarët, personeli shëndetësor dhe të gjitha kategoritë e punëtorëve paguheshin keq. Qeverisja e PDK është marrë dhe i ka zgjidhur të gjitha duke rikthyer dinjitetin dhe duke transformuar vendin. Punët e mëdha pastaj kanë krijuar mundësi për kompanitë tjera e që është shpërnda ekonomia në të gjithë vendin deri tek punëtorët të cilët kanë paguar taksa e tatime e që mjetet janë rikthyer në buxhetin e vendit. E përmendi një ditë edhe kryetari Memli Krasniqi se edhe PDK ka pasur probleme e mosmarrëveshje me FMN e me organizata tjera financiare kur i kemi rritur pagat, por kur ka qenë interesi qytetar, kur ka qenë interesi i punëtorëve tanë, qytetarëve tanë, nuk ka hezituar që të marrë edhe vendime të mëdha, të cilët historia ka treguar se kanë qenë të duhura. Ndërsa tani, e shihni që gjatë pushtetit të Albin Kurtit në këto 1 vit e gjysmë, kemi 5 herë shkelje të kushtetutës tonë dhe asnjë pasojë për shkelësit. Në kohën e qeverisjes tonë, në momentin që është konstatuar se ka pasur shkelje të kushtetutës, menjëherë është vepruar, kujtojeni rastin e presidentit Sejdiu, presidentit Pacolli dhe të tjerët me rend, kanë ecur në shtëpi. Sot kemi shkelje kushtetute nga ministrja e arsimit dhe në seancë plenare kryeministri Kurti veç sa nuk i ka thënë e ke shkelë kushtetutën, vazhdo ta shkelësh edhe më shumë, nuk po flasim për gjërat e tjera. Këta e shkelin kushtetutën me dy këmbët dhe asnjë veprim nuk e merr askush.
“Presheva Jonë”:  z. Reçica, si e sheh PDK sot si opozitë, gjendjen e qytetarëve në Luginën e Preshevës, ndër të tjera, si pasojë e neglizhimit të pushtetit serb, mosnjohja e diplomave, po i detyron qytetarët atje që të ikin me të madhe, ku po rrezikon të kthehet në një Medvegjë të dytë.

Elmi Raçica: Për mua dhe pjesën e asaj gjenerate që kemi punuar bashkë edhe me njerëz nga Kosova Lindore siç e kemi quajtur, është plagë e hapur dhe e dhimbshme. Një pjesë e popullit tonë që ka kontribuar në të gjitha anët e Republikës së Kosovës, të gjendet në një situatë siç është sot, është me të vërtetë një e metë edhe e jona si PDK, por edhe si individ që kam një raport shumë specifik me atë pjesë të trojeve tona dhe duke pas parasysh zhvillimet e shumta të proceseve, ka mbetur keq çështja e Preshevës. Normal që është një momentum kogja me peshë të rëndësishme aktualisht dhe do të ishte alarm jo vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe për ato të Shqipërisë që në këtë fazë duhet të jetë prijetare që bashkë me qeverinë e Kosovës të bashkëveprojnë për shqiptarët e Luginës.

Ne kemi shqiptarë edhe në Maqedoni e Mal të Zi, por ata tashmë janë të zot të vetvetes si pjesëmarrës në vendimmarrje, e vetmja më e dobët e çështjes tonë kombëtare është Presheva. Unë jam i sigurt se një koordinim i mirë mes kryeministrit shqiptar dhe kosovar, do të ishte shumë produktive dhe do të mund të bënin shumë punë të mira, por me një qeveri siç është kjo në Kosovë, nuk duket se ka shumë shpresë, me një Lëvizje Vetëvendosje që qëllim kishte bashkimin kombëtarë sa ishte në opozitë, e ndërkohë në zgjedhjet e fundit për deputet në Parlamentin e Serbisë, kryeministri Kurti nuk ishte në gjendje ta unifikojë popullin dhe liderët atje, e si mund të luaj rrol unifikues dikush që vetë asnjëherë në jetë nuk ka qenë unifikues, për asnjë temë.

Unë mendoj se mund ta ndihmojmë Kosovën Lindore duke u përpjekur që atje të krijojmë një asociacion të komunave shqiptare, e cila do të ofronte mundësi për investime e që do të duhej të kyçej përveç Shqipërisë e Kosovës edhe Maqedonia e Veriut përmes z. Ali Ahmeti i cili është i interesuar të ndihmoj.

SHPËRNDAJE