Një grup intelektualësh shqiptar përmes një letre drejtuar Sekretares amerikane të shtetit Hillary Klinton, kërkojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në Samitin e Çikagos. Ata u bëjnë thirrje autoriteteve në Uashington të ndërmarrin diçka në këtë drejtim pasi në të kundërtën Maqedonisë i kanoset rreziku nga destabilizimi i gjendjes së sigurisë.
Qeveria tani gjashtë vite ka bllokuar integrimin euro-atlantik, gjë që shtetin e ka sjellë në prag të një destabilizimi me përmasa të mëdha. Shqiptarët vite me radhë patën mirëkuptim ndaj emocioneve kolektive të bashkë-atdhetarëve të tyre etnik maqedonas, të cilët çështjen e emrit e përjetonin ndjeshëm. Por, durimi u shterr prej atij momenti kur u bë e qartë se senzibilizimi negativ lidhur me emrin e shtetit nga ana e qeverisë paraqet vetëm formë manipulimi me ndjenjat e qytetarëve, me qëllim të vazhdimit të jetës së pushtetit aktual – në kushte të varfërisë, diktaturës dhe kriminalitetit të organizuar. Ju lutemi të ndërmerrni të gjitha veprimet që mundeni që definitivisht të ofrohet çfarëdo qoftë zgjidhje e pranueshme në mes Greqisë dhe Maqedonisë që më në fund në samitin e radhës shteti të anëtarësohet në NATO ”, thuhet ndër të tjera në letrën e cila i është dërguar edhe Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Andres Fog Rasmusen dhe Komisionarit për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle.
Intelektualët shqiptar vlerësojnë se problemi i emrit të Maqedonisë është shumë më i vogël se sa që dramatizohet nga udhëheqësit e saj me qëllime të caktuar. Kompromiset Kroaci – Slloveni dhe Kosovë – Serbi, treguan se edhe në situata shumë më të komplikuara dhe të ndjeshme politike mund të ketë zgjidhje nëse ekziston vullnet i mirë politik. Intelektualët gjithashtu shprehin shqetësimin nga politikat populiste dhe totalitare siç i cilësojnë ata të kryeministrit Gruevski, i cili harxhon mjete të mëdha financiare për ta reklamuar veten dhe për të manipuluar me emocionet e qytetarëve, duke u krijuar atyre një histori dhe lumturi të rrejshme.
“Një politikë e tillë për gjashtë vite dyfishoi borxhin e jashtëm dhe shumëfishoi atë të
brendshëm, pa ndërtuar asnjë projekt relevant, pos atij të improvizuar “Shkupi 2014”.Kushtet e jetesës këtu dukshëm janë keqësuar, kurse si rezultat i manipulimit me marrëdhëniet ndëretnike gjendja e sigurisë në vend tej masë është acaruar. Kontrolli totalitarist ndaj mediave, gjykatave dhe administratës publike tani më ka marrë përmasa dramatike”.
Firmosësit e kësaj letre janë Mersel Bilalli, Xhevdet Hajredini, Hasan Jashari, Albert Musliu, Ismet Ramadani, Naser Zyberi, Flora Kadriu, Abedin Zymberi, Zeqirja Idrizi, Bashkim Selmani, Afrim Osmani dhe Sami Bislimi.

SHPËRNDAJE