Lëvizja Vetëvendosje kishte këmbëngulur që të mos mbahej seanca për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, me arsyetimin se po rrezikohej jeta e deputetëve, për shkak të pandemisë dhe mosplotësimit të kushteve në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Por, pas kërkesës së Kryeparlamentares Vjosa Osmani drejtuar Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, për të parë se cilat janë rekomandimet e tij për mundësinë e mbajtjes ose jo të seancës, dhe pas përgjigjes së këtij instituti se nuk “përzihet” në punët e Kuvendit, deputetët u mblodhën dhe me 82 vota votuan pro rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Katër ditë më vonë, Albin Kurti shkarkoi Bordin e SHSKUK-së dhe Drejtorin e tij Naser Ramadani, i cili është edhe udhëheqës i IKSHP-së, një akt ky që po vlerësohet si hakmarrje e pastër e Kryeministrit.

IKSHP, në përgjigjen e tij për mundësinë e mbajtjes së seancës për rrëzimin e Qeverisë Kurti, kishte thënë se nuk interferon në përmbushjen e detyrave kushtetuese të institucioneve shtetërore, ndërsa kishte shprehur gatishmërinë që në cilindo rast të ofrojë mbështetje me ekipet profesionale për kujdesin maksimal në aplikim të kushteve të kërkuara të domosdoshme sipas protokollit dhe udhëzimeve.

Por, kjo duket se nuk i ka pëlqyer Kryeministrit Albin Kurti dhe konsiderohet të jetë një prej arsyeve pse ai shkarkoi sot njeriun që ishte në ballë të luftës me pandeminë e coronavirusit në Kosovë, Naser Ramadanin.

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar sot Naser Ramadanin dhe Bordin e SHSKUK-së pa dhënë asnjë argument, por është mjaftuar me fjalinë se ky Bord ka dështuar në arritjen e objektivave, ndërsa menjëherë ka emëruar Borin e ri të QKUK-së, ku e ka dërguar anëtarin e Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta, i cili ishte kandidat i VV-së për deputet dhe këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

SHPËRNDAJE