Hungaria nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organet e Bashkimit Evropian, bëri të ditur kryediplomati hungarez, Peter Szijjarto ditë më parë në një konferencë të përbashkët në Budapest me homologun serb të tij, Ivica Daçiq.

Szijjarto këtë qëndrim të Hungarisë e artikuloi si qëndrim mosprejudikues të rezultatit të një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE’ja.

“Nëse formacionet e caktuara evropiane do e pranonin Kosovën në Evropë para arritjes së marrëveshje, kjo do të rrezikonte arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi; andaj edhe për këtë arsye Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organet evropiane”, tha Szijjarto.

Përveç pesë shteteve mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës brenda unionit evropian – përkatësisht Spanja, Sllovakia, Rumunia, Qiproja dhe Greqia – Hungaria doli në skenë si vota e gjashtë kundër Kosovës në integrimet e saj evropiane, së paku në kontekstin aktual.

Por çfarë do të thotë ky qëndrim i Hungarisë?

Ish-diplomati kosovar Ylber Hysa ka një shpjegim. Në një prononcim për Insajderin ai jep tri shpjegime se si duhet lexuar qëndrimin e Budapestit ndaj aplikimit të Kosovës në organet evropiane.

Në rend të parë, Hysa rikujton qëndrimet problematike të Hungarisë edhe ndaj vendimeve kyçe të BE’së në raport me agresionin rus.

“Së pari, relacioni i Hungarisë ndaj kësaj çështje për Kosovën nuk është diçka e cila duhet parë tërësisht si relacion vetëm Budapestit ndaj Prishtinës. Është një relacion më kompleks ku Hungaria e [Viktor] Orbanit në mënyrë kontinuele, tash e një kohë, përmes një politike populliste ka qenë kundërshtuese e shumë vendimeve nga Brukseli; dhe, shpeshherë, ato kanë qenë në kolizion me politikat e përbashkëta të cilat synon t’i ndërtojë BE’ja me konsensus”, tha Ylber Hysa.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, rikujton çështjen e kontestuar nga Hungaria për naftën ruse si dhe vendimet e tjera për të kontestuar qëndrime evropiane karshi Federatës Ruse.

“Ky është dimensioni i parë kësaj Hungarie të Orbanit”.

Niveli i dytë, sipas Hysës, janë relacionet gjithnjë e më të përafërta mes Budapestit dhe Beogradit.

“Niveli i dytë është relacioni i cili Beogradi kohëve të fundit ka arritur ta krijojë me Budapestin, i cili është një relacion shumë i afërt; edhe për nga natyra ideologjike, ku Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban ndjehen afër si popullistë të djathtë”.

“Por, edhe aspekte të tjera konkrete dhe ekonomike, e sidomos kohëve të fundit edhe ato energjetike, në të cilat Hungaria është ofruar të jetë një partner në një kohë të rëndë për Serbinë. Dhe, së fundi, që të dyja këto shtete, shpesh e kanë parë veten si sfiduese në qëndrimet e përbashkëta të BE’së karshi Rusisë”.

Ndërkaq, nivel të tretë të këtij problemi, Ylber Hysa e sheh edhe mosbashkërendimin e qeverisë kosovare me partnerët kyç të saj, në rrugën evropiane të saj.

“Niveli i tretë i këtij problemi është me siguri edhe mospërgatitja dhe moskoordinimi që ka bërë vetë Qeveria e Kosovës në çështjet e aplikimit në këto institucione, të cilët kanë dashur të jenë më të koordinuar më të informuar, si të thuash, më të koordinuar me partnerët më të mëdhenj të BE’së”, tha ai për Insajderin.

Megjithatë, Hysa vëmendjen e vendos edhe kah Komisionari Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varheliy, i cili, edhe brenda vetë BE’së është parë si problematik.

“Por, edhe një problem tjetër që këtu duhet parë karshi veprimit të Hungarisë është vetë fakti se një personalitet i rëndësishëm i BE’së, Oliver Varheliy hungarez, sjellja e tij shpeshherë nuk kanë qenë konform politikave të BE’së dhe duket që më mënyrë indirekte ka qenë i inkurajuar nga vetë Budapesti dhe këtë e kemi parë jo vetëm në rastin e Kosovës, por edhe karshi vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos karshi Malit të Zi”, përfundoi Ylber Hysa.

Kosovën brenda BE-së nuk e njohin pesë shtete. Spanja, Qiproja, Greqia, Sllovakia dhe Rumunia. Si rrjedhojë e kësaj, BE ka qëndrim “neutral ndaj statusit” duke e njohur pashkëputshëm nga fusnota/asteriksi, që qëndron aty “për të mos ia paragjykuar statusin”.

Aty theksohet “vendimi i GJND-së” i 2010’ës që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, derisa gjithashtu shënohet edhe Rezoluta 12/44 e Këshillit të Sigurimit e vitit 1999 ku Kosovën e trajton si pjesë integrale të Republikës Federale të Jugosllavisë.

SHPËRNDAJE