Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj bashkë me Memli Krasniqin kanë prezantuar sonte Planin e Rimëkëmbjes së politikës së jashtme dhe të promovimit të Kosovës.

Hoxhaj theksoi se si Ministër i Jashtëm i Kosovës ka kërkuar njohjen për Kosovën në çdo kontinent të botës dhe se gjatë udhëheqjes së Qeverisë nga Kryeministri Thaçi, kanë siguruar 116 njohje për Kosovën dhe anëtarësime në 60 organizata ndërkombëtare.

Sipas tij, PDK e ka pasur gjithnjë të qartë se Kosova duhet ta përmbyllë shtetndërtimin e saj dhe anëtarësimin në OKB dhe se kjo mund të arrihet vetëm me një diplomaci të mençur dhe me një përkushtim të madh.

“Politika e jashtme është letërnjoftimi i një shteti. Mënyra se si na sheh dhe na njeh bota. Diplomacia është imazhi i gjallë i Kosovës, kudo në botë. Kosova ka shumë të rinj e të reja, të cilët çdo ditë punojnë për ta përmirësuar imazhin e vendit tonë në botë. Nuk kam kursyer asnjëherë asgjë që t’i mbështes ata në prezantimin dhe përfaqësimin e një imazhi real për Kosovën.”, tha ai.

Hoxhaj u zotua që si kryeministër i ardhshëm do të investojë në përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe prioritet i qeverisë së tij do të jetë forcimi i shërbimit diplomatik, thellimin i marrëdhënieve me SHBA-në dhe miqtë e tjerë perëndimorë, forcimi i partneritetit me Bashkimin Europian, si dhe forcimi i lidhjeve vëllazërore me Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Kosovës dhe shqiptarëve nuk i duhet një Kryeministër si Albin Kurti, i cili shkon në Tiranë dhe përplaset me Kryeministrin shqiptar, ndërkohë që i buzëqesh Kryeministres serbe. Kosovës dhe shqiptarëve nuk i duhet një Kryeministër si Albin Kurti, i cili gjatë pandemisë e mbylli kufirin me Shqipërinë, por ia hapi portat Serbisë që ta shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në veri të Kosovës. Kosovës dhe shqiptarëve nuk i duhet një Kryeministër si Albin Kurti, që përçan shqiptarët e Maqedonisë, duke marrë anë në betejat e tyre të brendshme zgjedhore. Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për një Kryeministër me përvojë në politikë të jashtme. Dhe, këtë e presin të gjithë qytetarët e Kosovës.”, theksoi Hoxhaj.

SHPËRNDAJE