Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të enjten gjatë tubimit elektoral në Pejë, se Qeveria e drejtuar nga LDK-ja, si pjesë e Partive Popullore Evropiane, i ka të hapura të gjitha dyert në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo në vendet demokratike.

“Me qeverisjen tonë Kosova i është kthyer normalitetit, është kthyer besimi tek aleatët tanë euro-atlantikë, janë hequr sanksionet ekonomike nga SHBA, erdhi njohja nga Izraeli, kemi nisur projekte 1 miliard dollarë nga Marrëveshja e Uashingtonit, kemi arritur ta menaxhojmë më mirë se çdo kush tjetër pandeminë dhe kemi ruajtur ekonominë e vendit tonë. Kundërshtarët tanë po bëjnë fushata linçuese, po japim premtime pa bazë dhe të pa menduara, po prodhojnë lajme të rrejshme, po kërcënojnë institucionet e drejtësisë”, tha Hoti.

Ai tha se kur e morën drejtimin e qeverisë, Kosova ishte në izolim ndërkombëtar ndërsa zyrtarët e qeverisë së kaluar akuzonin dhe ofendonin zyrtarët më të lartë amerikanë se po rrinë me thika mbi harta për ta copëtuar Kosovën.

“Kur e morën ne Qeverinë, shkuam në Uashington. Nuk kishte thika e harta. Ne e nënshkruam marrëveshje ekonomike për projekte prej 1 miliard dollar, sollëm njohjen nga Izraeli dhe fuqizuam miqësinë tonë speciale me Amerikën. Me këtë marrëveshje e hapëm pikën e përbashkët kufitare në Merdarë, dhe sivjet mërgimtarët tanë kanë pritur më pak në kufi kur kanë vizituar familjet e tyre për festat e fundvitit. Nga kërcënimi për tërheqjen e ushtrisë amerikane, ne arritëm që Ushtrinë e Kosovës ta dërgojmë në misione paqeruajtëse ndërkombëtare bashkë me ushtrinë amerikane”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.

SHPËRNDAJE