Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, të mërkurën do të raportojë në Komisionin Parlamentar për Buxhet.
Sipas Hotit, guvernatori do të raportojë në lidhje me pjesëmarrjen e tij “të pakuptimtë dhe pa asnjë autorizim ligjor në dialog në Bruksel për rregulloren për përdorimin e valutave të huaja në Kosovë”.
“Me kërkesë të opozitës, nesër në orën 12:00, në Komisionin Parlamentar për Buxhet, raporton guvernatori i BQK-së lidhur pjesëmarrjen e tij të pakuptimtë dhe pa asnjë autorizim ligjor në dialog në Bruksel për rregulloren për përdorimin e valutave të huaja në Kosovë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti më tej ka thënë se Qeveria e ka detyruar BQK-në në mënyrë joligjore të marrë pjesë në dialog.
“Edhe pse BQK-ja është institucion i pavarur kushtetues, Qeveria e detyroi atë të përfshihet në dialog në mënyrë joligjore.
Shqetësues mbetet fakti se Qeveria dhe BQK-ja nuk pranuan kërkesat e aleatit kryesor të Kosovës për shtyrje të zbatimit të rregullores, por pranuan të ulen në tavolinë me palën serbe me kërkesë të ndërmjetësit”, ka shtuar më tej.