Përzgjedhësi i përfaqësues së Zvicrës në futboll, Ottmar Hitzfeld, kërkon të nisë mbarë kampanjën eliminatore për kampionatin botëror “Brazili 2014”, që Zvicra e nis të premten me Slloveninë. Ai ka kërkuar pikët plota si ndaj sllovenëve po ashtu edhe me Shqipërinë, që takohet katër ditë më vonë.

Zvicra me çdo kusht kërkon që të jetë pjesë e kampionatit botëror që pas dy vitesh do të mbahet në “zotëruesin” e futbollit botëror, Brazili. Përzgjedhësi, Ottmar Hitzfeld ka bërë të ditur se është për gjetjen e rrugës që do ta dërgonte përfaqësuesen që ai drejton në Amerikën Latine në vitin 2014. Zvicra është pjesë e Grupit E, së bashku me Shqipërinë, Slloveninë, Norvegjinë, Qipron dhe Islandën. Asnjëra nga këto kombe nuk ishin pjesë e kampionatit të fundit evropian, që u mbajt këtë verë në Poloni dhe Ukrainë. Ky fakt dëshmon se të gjitha ekipet nacionale kërkojnë rikthimin lavdisë për të qenë pjesë e evenimenteve të mëdha futbollistike. Strategu gjerman ka pohuar për mediat helvetike se tashmë ia ka vënë vetes objektivin për ta kualifikuar Zvicrën në Botëror, edhe atë si lider të Grupit E. E për ta bërë një hap të madh drejt arritjes së këtij qëllimi, Hitzfeld synon t’i fitojë dy ndeshjet e para kualifikuese, më 7 shtator ndaj Sllovenisë dhe atë të 11 shtatorit ndaj Shqipërisë. “Qëllimi ynë në Slloveni do të jetë rrëmbimi i tri pikëve. Pastaj, në Luzern do ta kërkojmë fitoren e radhës ndaj Shqipërisë”, ka thënë Hitzfeld. Ai në fund ka siguruar futbollistin shqiptar, Xherdan Shaqirir se do ta ketë vendin e titullarit në këto dy ndeshje edhe pse ai nuk po gjen hapësirë të duhur të Bayerni. I kemi një ose dy lojtarë që nuk po gjejnë hapësira në ekipet e tyre, por ata kanë klas ndërkombëtar. Nuk mund ta lë jashtë Shaqirin, vetëm pse ka përfunduar në bankinë te Bayerni”, ka theksuar ai.

SHPËRNDAJE