Ish-deputetja Grida Duma ka reaguar për shembjen e Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga fadromat e IKMT.

Jo vetëm Tirana por e gjithë Shqipëria po lëngon sot shkruan Duma. “Sot Shqipëria është zgjuar me një pjesë të vetes të zhdukur por historia e saj do të veprojë dhe do ta bërtasë ndryshe vrasjen passhpine”, vijon ish-deputetja Grida Duma.
REAGIMI I PLOTË:

Shqipëria, jo vetëm Tirana, lëngon sot shkërmoqjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe bashkë me të shkërrmoqjen me brutalitet të çdo norme që garanton liritë dhe të drejtat e qytetarëve!
Në atë shesh miliarda kokrriza pluhuri po shpërbëjnë në ajër dhjetra e dhjetra vite energji të njerëzve që i dhanë shpirt shpirtit të shqiptarëve.
Ndërsa perëndimi i ruan teatrot e veta të vjetra me policë nga vizitorët e turistët; ruan dhe një copë suvaje të rënë si një copë historie të dëshmuar, barbarët kthejnë në pluhur historinë.
Prapë edhe prapë!
Kush nuk di nga vjen mund ta çosh kudo; mund ta degdisësh në honet e dreqit.
Kush nuk di sa vlen mund ta shkatërrosh kurdo.
Sot Shqipëria është zgjuar me një pjesë të vetes të zhdukur por historia e saj do të veprojë dhe do ta bërtasë ndryshe vrasjen passhpine.
Për këdo që ironizon shqiptarët dhe historinë e tyre, me humbjen e teatrit kombëtar, i duhet kujtuar që ky vend i ka tejkaluar mallkimet e veta duke mbijetuar nga lashtësia duke u ringritur ndaj çdo fatkeqësie!
Kështu do të ndodhë përsëri!

SHPËRNDAJE