Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka treguar më shumë detaje për takimin që sot e kanë pasë me Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

“Nuk ka qenë takim për porosi ose mesazhe të tjera. Ka qenë më shumë rikthim në agjendë dhe fokus dialogu Kosovë-Serbi si njëra nga detyrat me prioritet të BE-së në kuadër të procesit të normalizimit të dialogut. Ky rikthim është shpresëdhënës”.

“Jemi njoftuar me qëllimet dhe angazhimet që agjenda e [Miroslav] Lajçak përfshin. Kjo është në çdo vizitë të tij, sepse Lajçak në mënyrë të rregullt viziton Prishtinën duke nënvizuar prezencën e tij dhe angazhimin e tij në këtë dialog. Ishin dy takime të liderëve. Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit ishin disa takime të grupeve punuese që quhen grupe teknike, por nuk ka rezultate të prekshme. Nuk ka ende asnjë veprim apo hap politik që i jep oksigjen politik dialogut dhe besim që marrëveshja gjithëpërfshirëse në kornizën e saj me çështjet që janë dakorduar tash e disa kohë të ecë përpara. Ky është qëllimi dhe mesazhi kryesor – që dialogu të shkojë përpara”.

Ai në Klan Kosova tha se mesazhi i këtij takimi ishte “nevoja e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi”.

“Kjo ishte tema, çështja dhe biseda kryesore që u diskutua me LDK-në dhe kryetarin e LDK-së [Lumir Abdixhiku]. Kemi konfirmuar qëndrimin tonë dhe rolin politik dhe historik të LDK-së në këto bisedme dhe të tjera sa i përket çështjes së Kosovës. Këto bisedime të formatuara në dialog për normalizim dhe si prioriritet i BE-së dhe SHBA-së natyrisht që ishte çështja kryesore që biseduam”.

A pati ndonjë kërkesë Miroslav Lajçak për rolin e LDK-së opozitare në dialogun Kosovë-Serbi?

“Ne e konfirmuam rolin tonë pa pasë nevojë për të kërkuar sqarime nga askush. Ne konfirmuam se jemi parti opozitare dhe roli jonë është opozitar në Kuvend. Ne e mbështesim dialogun. Dialogu nuk ka opsion dhe është i vetmi drejtim për Kosovën. Raportet e mira fqinjësore janë politikë e LDK-së dhe dialogu është instrument për t’i zgjidhur këto probleme”.

“Ne kërkuam qartësi, përkushtim dhe siguri më të madhe në agjendë, sepse besimi në këtë proces po luhatet. Nëse shihni zhvillimet e fundit dhe rolin e ndërmjetësve ndërkombëtarë ky besim po luhatet”.

SHPËRNDAJE