Duke folur në “DPT te Fidan Jupolli”, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk mund ta trajtojë qeverinë si parti të tij.

Haziri ka thënë se Kurti duhet të jetë më fleksibil në dialogun me Serbinë, duke thënë se ky është një momentum i rëndësishëm politik për t’i dhënë epilog marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Z. Kurti nuk guxon të sillet në shtet sikur në parti. Nuk është qeveria parti e tij. Në parti mund të sillet konform qëndrimit të vet, por në kabinet qeveritar, vendimet janë kolektive”, ka deklaruar ai.

Kur është pyetur se a mund ta refuzojë Kurti Asociacionin e Komunave Serbe, Haziri, duke qeshur, ka thënë se Kurti nuk është më “Mister NO” (në anglisht: Zoti Jo).

Ai ka thënë se Kurti mund të ndryshojë drejt pozicioneve më racionale.

Ka përmendur marrëveshjen e fundit të Kosovës dhe Serbisë për dokumentacion, duke thënë se kush do ta kishte menduar se Kurti do të pranonte që qytetarët e Kosovës të hyjnë e dalin nga Kosova me letërnjoftime serbe.

“Kush do të kishte besuar që Kurti do ta kishte pranuar modalitetin që qytetarët e Kosovës të hyjnë e të dalin me letërnjoftime të Serbisë, jo të Kosovës”, ka thënë ai.

Haziri ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia po shkojnë drejt një marrëveshje përfundimtare dhe kjo vjen si rezultat i angazhimit të veçantë nga SHBA dhe BE.

SHPËRNDAJE