Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur ndryshe si Kamishi,ka deklaruar në një konferencë se ndjen përgjegjësi për ato që deklaron, duke këmbëngulur se janë të vërteta takimet me serbë të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

 

Haxhiu ka kërkuar më heret nga Kurti të qartësoj raportet që ai ka pas me një femër nga Beogradi, e cila, sipas deputetit te PDK-së, ka qenë e bija e një ish ministri nga partia e Miloshevicit.

Por, nga VV nuk ka dashur askush të jap shpjegime, duke i quajtur të gjitha këto si shpifje të Haxhiut

Nëse Albin Kurti, nuk përgjigjet deri me 8 shkurt në mesnatë, për pyetjet që i janë shtruar, atëherë me 9 shkurt , ish pjesëtari i SHIK-ut, Haxhiu, do të publikoj faktet e tij për këto takime. (RtK)

 

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë vendosur që të mos i komentojnë deklaratat e reja të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili edhe të dielën akuzoi Albin Kurtin për lidhje me Serbinë. Anëtarët e Vetëvendosjes deklaruan se për Kamishin vlejnë ato që janë thënë të shtunën gjatë një konference për media, se SHIK-u me dezinformata po mundohet të bëhet pjesë e qeverisjes.

Arbnor Behari, zyrtarë për media në Lëvizjen Vetëvendosje, i pyetur nga Kosovapress rreth akuzave të bëra sot nga Haxhiu në adresë të kreut të Vetëvendosjes, tha se nuk kanë se s’ka çka të komentojnë për këtë, pasi që qëndrimet e tyre, lidhur me deklaratat e Haxhiut, mbeten atë të njëjtat, që zyrtarë të kësaj partie, i kanë thënë të shtunën në një konferencë për media.

“Krejt ajo çka Vetëvendosje ka dashur të thotë në lidhje me deklaratat e Haxhiut, i kemi thënë dje në një konferencë për media. Andaj sot nuk kemi çka komentojmë në lidhje me këtë, pasi që qëndrimet e shprehura në konferencë ende qëndrojnë”, tha ai.

Ndryshe, gjatë ditës së shtunë Lëvizja Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiut (Kamishi), duke i quajtur ato si të pavërteta dhe të qëllimshme.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, i cili tani më është i njohur për “dialogun” me Kamishin, nuk ka hezituar ta quajë si organizatë ilegale dhe kriminale Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), të cilin ai e quajti edhe organ të PDK-së.

Kransiqi gjithashtu ka thënë se për Lëvizjen Vetëvendosje, dhe për Kosovën në përgjithësi është shqetësues aktiviteti i dendur i SHIK-ut. Sipas Krasniqit “Kosova është e rrezikuar nga bandat kriminale të SHIK-ut”.

Ai ka thënë se lansimi i dezinformatave nga ana e Kamishit dhe pjesëtarëve tjerë të SHIK-ut, janë tipike të shkollës së KGB-së, pasi që sipas tij, atëherë kur vendi është në krizë të thellë ekonomike dhe politike, lansohen dezinformata të ndryshme, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së qytetarëve në çështje që nuk janë aspak të rëndësishme.

“Përpjekjet e kësaj organizate kriminale që t’i sjellin një pjesë të madhe të anëtarëve të saj në parlamentin e Kosovës ka të bëjnë me faktin, se as një ish-SHIK nuk ka humb në zgjedhje, tregon se sa e fortë është kjo organizatë kriminale. Për faktin që ata po bëjnë të pamundurën që në riformatizimin e ardhshëm të Qeverisë të bëhen pjesë e Qeverisë, tregon se kjo është metoda e KGB-së, ashtu sikurse Putini që erdh në pushtet, duke qenë i pari i shërbimit informativ, të njëjtën gjë po tenton ta bëjë edhe Kadri Veseli, që të vijë i pari në pushtet përmes shërbimit të vet informativ. Kjo është e papranueshme për një shoqëri demokratike, kjo është e papranueshme për shoqërinë tanë kosovare”, ka thënë ai.

Kamishi i jep ultimatum Kurtit: Trego për lidhjet tua me serbët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, nuk e ka ndërmend të ndalet.

Sot në mesditë, ai ka dalë në një konferencë për media, ku sërish ka kërkuar nga Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurtit, që të sqaroi, sipas Haxhiut, lidhjen e tij me serbët.

Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, ia ka caktuar Albin Kurtit 8 shkurtin si “afatin e fundit për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij”.

“Kurti ka afat deri më 8 shkurt, ora 24:00, që t’iu përgjigjet tri pyetjeve tona. Nëse nuk e bënë këtë, me 9 shkurt do të dalë publikisht dhe do t’i jap të gjitha faktet për këto që i thashë”, ka thënë Haxhiu.

Më pas, ai i ka përsëritur pyetjet për Kurtit, për të cilat kërkon përgjigje deri më 8 shkurt.

“E ka për obligim moral ndaj opinionit që t’i përgjigjet pyetjeve. E para, Pse është takuar me serbët në Klinë në vitin 2004? Të tregojë se kush janë ata serbë me të cilët është takuar, a janë kosovarë apo të Serbisë dhe pse ka qenë i mbuluar me batanije kur është takuar me ata? E dyta ka të bëjë me gruan serbe me të cilën është takuar vazhdimisht në Pogradec si dhe është parë edhe në Prishtinë? E treta, duhet të tregojë se çka përmban letra të cilën e ka marrë me 28 shtator të 2011’ës nga vajza e ministrit të Milloshevicit”, iu është drejtuar për të dytën herë Haxhiu liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Haxhiu deklaroi se për të gjitha pyetje që i ka bërë Albin Kurtit, ka fakte dhe dëshmi si nga qytetarët po ashtu edhe nga zyrtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët siç tha ai e kanë falënderuar atë për demaskimin e fytyrës së vërtetë të Kurtit.

“Nëse zoti Kurti nuk dëshmon në Gjykatë, do të ballafaqohet edhe me dëshmitë dhe dëshmitarët. Vetëm pas prezantimit tim të këtyre fakteve, kam marrë mesazhe dhe thirrje edhe prej aktivistëve dhe zyrtarëve të Vetëvendosjes, të cilët më kanë falënderuar për demaskimin e fytyrës së vërtetë të Albin Kurtit. Ka mesazhe telefonike dhe me e-mail, të gjitha këto pas 9 shkurtit do t’ia prezantojë zotit Kurti”, tha ai.

Haxhiu, nuk pranoi të komentojë deklaratat e Florin Krasniqit, duke pohuar se me hyrjen e tij në skenën politike është ulur niveli i debatit politik. Krasniqi, sipas Kamishit e ka ulë dhe çoroditur kulturën politike dhe ka sjellë një fjalor të ulët politik. (Express)

SHPËRNDAJE