Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka hedhur poshtë tezat e qarqeve serbe për ndarje apo shkëmbime territorresh.

Në një intervistë për TVSH-në, Haxhinasto tha se Shqipëria gjithmonë është shprehur kundër tezave të tilla, duke thënë se “ato janë një shprehje e tezave të vjetra, arkaike të dështuara tashmë në rajonin e Ballkanit”.

Shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi se “shkëmbim territorresh do të thotë të krijojmë shtete etnikisht të pastra, të ndryshojmë kufijtë”. “Këto teza kanë një histori shumë të dhimbshme në Ballkan, nuk janë aspak në përputhje me frymën e përgjithshme të rajonit, me procesin integrues të të gjithë vendeve të Ballkanit, me frymën e miqësisë që ekziston dhe që po forcohet çdo ditë midis vendeve të ndyshme të rajonit. Pra janë teza të cilat janë kundër kësaj fryme, dhunojnë procesin integrues të secilit vend, janë jo produktive dhe të dëmshme për secilin vend që i promovon apo i mbështet ato”, nënvizoi Haxhinasto. Më tej Ministri i jashtëm shqiptar theksoi se “integriteti i Kosovës, mosndarja e saj, moskthimi i saj para vitit `99, mosbashkimi i saj me një shtet tjetër, kanë qenë në themel të pavarësimit të saj”. Ai tha se ky ka qenë objektivi i madh i shqiptarëve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve të rajonit, të cilët punojnë vazdhimisht, me qëllim për të ndihmuar sa më shumë njohjet e reja të Kosovës, të statusit të pavarësisë.

“Sigurisht nuk mund të devijojmë, të ndryshojmë kodin, kornizën, themelet e pavarësisë së Kosovës dhe të krijojmë një problem, i cili do ishte krejtësisht i panevojshëm dhe nuk do t`i shërbente aspak Kosovës, por do t`i shërbente atyre qarqeve antishqiptare, të cilat përpiqen me të gjithë mënyrat, me fushata të herëpasherëshme për të dëmtuar një profil të ri, një imazh të ri që kanë shqiptarët në rajon, si një komb kostruktiv, paqedashës, bashkëpunues e tolerant”, tërheq vërejtjen Haxhinasto, për theksuar se bëhet fjalë për “një komb që dëshiron të gëzojë të drejtat e tij dhe të angazhohet në një proces të mirëfilltë, serioz, cilësor për t`u bërë anëtar i BE-së dhe për t`u bërë qytetar evropian në të gjitha vendet ku ai jeton, duke filluar nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës”.

SHPËRNDAJE