Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ka bërë thirrje për rritjen e bashkëpunimit me OSBE-në. Duke folur në seancën e Kёshillit tё Pёrhershёm tё OSBE-sё, Haxhinasto në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ka parashtruar prioritetet e Kryesisë Shqiptare të KiE-së si dhe ka vënë në dukje edhe fushat për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy organizatave.

“Vazhdimi i partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Këshillit të Evropës dhe OSBE-së është i dobishëm për realizimin e sigurisë euro-atlantike bazuar në universalitetin e vlerave të demokracisë dhe të shtetit ligjor. Përmbushja e këtij vizioni kërkon hapa konkretë për të rritur bashkëpunimin në fushën e zgjedhjeve, në mbrojtjen e pakicave kombëtare, në luftën kundër intolerancës dhe diskriminimit, terrorizmit dhe trafikimit të qënieve njerëzore, duke shmangur edhe dublikatet” shtoi Haxhinasto

Ministri Haxhinasto tha gjithashtu se ndihma për vendet e Mesdheut të cilat ndodhen në tranzicion demokratik është një tjetër fushë ku duhet të rritet bashkëpunimi ndërmjet dy organizatave. Sipas tij, bashkëpunimi mund të ketë një potencial të pabesueshëm për sukses dhe impakt.

Ai shtoi se dialogu ndërkulturor dhe toleranca, sidomos për brezin e ri, demokracia lokale dhe rajonale, mbrojtja e të drejtave të njeriut, duke përfshirë fëmijët dhe të drejtave e grave, si dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor janë disa nga prioritetet e kryesisë shqiptare të KiE-së.

Shqipëria e cila është një prej 56 shteteve pjesëmarrëse në Sesionin e Kёshillit tё Pёrhershёm tё OSBE-sё, mori në maj të këtij viti kryesinë e Këshillit të Europës.

SHPËRNDAJE