Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, sonte ka qenë i ftuar në një studio televizive, ku ka thënë se kjo qeveri i ka ndihmuar Serbisë në interesat ekonomike.
Haradinaj vlerësoi se do të ishte gabim nëse Qeveria e Kosovës tërhiqet nga vendimi për reciprocitet me Serbinë lidhur me targat e veturave.
Krahas kësaj ai ka thënë se Qeveria Kurti është treguar e kujdesshme me Serbinë dhe qytetarët serbë në Kosovë.
“Kjo qeveri është mjaft e kujdesshme në marrëdhëniet me Serbinë, e ka ndihmuar Serbinë në aspektin ekonomik, nga heqja e taksës, pastaj taksës mbrojtëse për bllokat. Këto janë shumë dëshmi që flasin se Qeveria e tashme ka qenë e mirëkuptueshme ndaj Serbisë”.
“Kjo e ka mbërri kulmin te pagesa e rrymës – dy herë nga 11 milionë. Mendoj se i ka përkëdhel me kujdes serbët e veriut dhe Serbinë. Veprimet e sotme janë pasojë e dakordimeve të mëhershme, janë vazhdim i dakordimeve të mëhershme”, ka thënë Haradinaj, njofton Klan Kosova.
Haradinaj ka theksuar se nga vendimi i sotëm nuk mund të hiqet dorë.
“Duhet treguar se zbatimi i ligjit është i pakompromis dhe pa kthim prapa. Nuk mendoj se qeveria do të marrë veprime destabilizuese, e ka zbatuar ligjin. Thirrja e Ambasadës së SHBA-së është mjaft e sinqertë, që të ulen tensionet. Nuk i kërkon moszbatimin e ligjit”.
“Qeveria nuk ka ngritur tensione, por ka zbatuar ligjin” – ka thënë Haradinaj.
SHPËRNDAJE