Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në një konferencë të mbajtur për media ka thënë se deri te vendosja e masave kufizuese kundër COVID-19 kemi ardhur për shkak që nuk ka pasur seriozitet në procesin e vaksinimit.

Haradinaj ka thënë se jemi në kohë emergjente dhe duhet me qenë të mobilizuar për të rritur kapacitetet për të qenë më afër me qytetarët.

Sipas tij, për shkak të mosseriozitetit, Kosova është në situatën më të keqe në rajon.

“Pse kemi ardh te këto masa? Kemi ardh se s’ka seriozitet në vaksinim, qeveria, qeverisja, të gjithë ministrat, edhe i Mbrojtjes edhe i Drejtësisë, kjo është kohë emergjente, e lë më ai i Shëndetësisë. Duhet me qenë të mobilizuar për rritje të kapacitetit për të qenë më afër qytetarëve, atyre që vaksinohen, me identifiku mënyra, me u rrit interesimi, me u rrit besimi. Një mungesë e këtij serioziteti tani na ka sjell në situatën kur ne jemi më së keqi në rajon e më gjër, numrat na rriten, vaksinimi është shumë ulët. Kush po e paguan këtë logjik të gabueshme të qeverisë. Qeveria duke mos e kryer punën e vet tani po e bart dëmin te gastronomët dhe te ekonomitë vendore, te sipërmarrësit”, ka theksuar ai.

Tutje Haradinaj ka thënë se për të dal nga gjendja me pandeminë duhet një plan serioz i vaksinimit.

“E kuptojmë që edhe masat janë të nevojshme, edhe kujdesi është i nevojshëm, por mos harrojmë se pse kemi ardh te kjo situatë është mungesa e seriozitetit në bashkëpunim. Këto masa dalin nga kjo gjendje, dalja nga kjo gjendje bëhet me një plan mjaft serioz të vaksinimit, me rrit numrin e të vaksinuarve”, ka shtuar ai.

SHPËRNDAJE