Në draftin për sezonin turistik thuhej se çadrat duhet të vendosen me një distancë prej 3 metrash e gjysmë nga njëra tjetra. Por grupet e interesit nuk e kanë pritur mirë këtë pikë dhe do i drejtohen me një kërkesë qeverisë që të bëjë ndryshime, edhe pse nuk është drafti final.
Kryebashkiaku i Sarandës, Gurma tha se grupet e interesit, kërkojnë që kjo distancë të mos jetë njësoj sin ë çdo plazh.
Kjo sepse po të marrësh vijën bregdetare të Dhërmiut është shumë herë më e madhe se ajo e Ksamilit. Kështu që kërkohen rregulla jo të njëjta për plazhet.
Në një intervistë për Report TV, kryebashkiaku i Sarandës thotë:
“Ministria e Turizmit ka hartuar një draft për masat anti-COVID për sezonin turistik, është në fazën e një drafti dhe në ditët në vijim, do të japim sugjerime që të kalojë nga draft në protokoll normal. Na është bërë i ditur dhe ne do të hyjmë në fazën e diskutime. Bizneset janë të stopuar, se nuk ka hapje totale funksionojnë vetëm njësitë e shërbimeve. Operatorët turistik po përgatiten, edhe i kemi orientuar për një sezon tursitik ndryshe. Kemi një takim me operatorët turistik, po përgatitemi për një sezon normal, por me rregulla të reja. Saranda ka një vijë të limituar bregdetare, e për pasojë edhe stacione plazhi janë më të pakta. Në kushtet e reja që na dikton situata, do të kemi edhe kushte të reja sa i përket qasjes së bërit plazh. Në plazhin e Dhërmiut mund të funksionojnë, por në Ksamil për vetë distancën do të duheshin standarde të tjera. Se plazhi i Durrësit, Vlorës kanë një hapësirë të gjerë ç’ka i mundëson zbatimin e rregullave, duhet parë në plazhet ku hapësira nuk e ka atë mbipopullim”.
Rregullat e reja sipas draftit janë këto:
– Çadrat do të vendosen 3 metra e gjysmë nga njëra tjetra, në secilën prej tyre do të qëndrojnë vetëm dy familjarë.
-Përpara se të hyjnë në zonën e plazhit, pushuesve do t’u matet temperatura dhe do të plotësojnë një formular për t’u njohur me historikun e udhëtimeve dhe sëmundjeve.
-Pasi këto kushte të jenë zbatuar turistët vendas apo të huaj do të lejohen të pushojnë në zonat bregdetare të Shqipërisë.
-Gjatë larjes në det, duhet të respektohet distanca 3 m larg nga njëri tjetri, me përjashtim të rastit kur prindi kujdeset për fëmijën e mitur.
-Shqiptarët nuk do të kenë mundësi të argëtohen nëpër plazhe. Nuk do të ketë “beach bar” apo ” schiuma party”.