Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se drafti aktual i Asociacionit është oferta më e varfër që e ka pasur Kosova në tavolinë.

“E kanë degradu procesin, dhimbja më e madhe e krejt kësaj është që nuk ka njohje të ndërsjellë, nuk ka garanca për njohje të pesë vendeve të BE-së, s’ka garanca për NATO. Kur nuk ke njohje të ndërsjellë me Serbinë është shumë problem anëtarësimi në OKB”, ka thënë Hamza.

Ai është shprehur se e di që dialogu Kosovë – Serbi nuk është një temë e lehtë dhe popullore.

“Gjithë liderët politikë dhe institucional që janë marrë me këtë temë sigurisht që për asnjërin prej tyre nuk ka qenë pozitë e lehtë. As për z.Thaçi, as për z.Mustafa, në kohën e z.Haradinaj ka pasur një stagnim në çështjen e dialogut, dhe po del që as për z.Kurti”, ka thënë kandidati i PDK-së për kryeministër në RTV Dukagjini.

Tutje ai ka theksuar se si rezultat i zhvillimeve të fundit njohja reciproke dhe ajo e ndërsjelltë nuk është në tavolinë

“Mirëpo qëllimi final i dialogur ka qenë njohja e ndërsjelltë, njohja reciproke. Kjo ka qenë e theksuar qartë në të dy letrat e presidentëve amerikanë, edhe e presidentit Trump edhe presidentit Biden. Si rezultat i zhvillimeve të fundit, njohja reciproke dhe e ndërsjelltë nuk është në tavolinë”, ka shtuar Hamza.

Më 27 mars të këtij viti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se Bedri Hamza do të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër të Republikës së Kosovës.

Krasniqi ka thënë se Hamza është njeriu i duhur për këtë pozitë dhe për kohën në të cilën po kalon Kosova, andaj edhe i ka kërkuar që të marrë këtë përgjegjësi.

 

 

SHPËRNDAJE