Pas më shumë se katër vitesh premtime të njëpasnjëshme, me ndërrime “procedurash”, “studime fizibiliteti” e “rishikime projektesh”, më në fund u hodh gurthemeli për atë që qeveria dhe komuna e quajnë “stadiumi i ardhshëm i qytetit të Gjilanit”. Por ky fillim i madh, që më së shumti tingëllon si episod i përsëritur i fushatave të mëhershme, u shënua me një mungesë të pazakontë – mungesën e kreut të futbollit në vend, presidentit të FFK-së, Agim Ademi.
Për ironi, në vendin ku po pretendohet të ndërtohet një stadium futbolli, nuk ishte i pranishëm njeriu që përfaqëson këtë sport në nivel nacional. Në vend të tij, pamë kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e komunës Alban Hyseni, ministrin e kulturës Hajrullah Çeku dhe zëvendësministren Daulina Osmani – të gjithë anëtarë të të njëjtit subjekt politik: Lëvizjes Vetëvendosje.
E nëse mungesa e presidentit të FFK-së kalon pa koment zyrtar, në opinionin publik nuk mund të mos ringjallen kujtimet e një premtimi qesharak nga një ish-kandidat për deputet i po kësaj partie, i cili gjatë fushatës zgjedhore pati deklaruar se “do të ndërtojmë një livadh ku do të dalin nënat dhe gjyshet të argëtohen”.
Po a mos ndoshta sot, me gjithë solemnitetin që i dhanë këtij “gurthemeli”, në fakt u hodh gurthemeli pikërisht për atë livadhin e famshëm për gjyshet, që tani po shitet si “stadium futbolli”?
Në një vend normal, stadiumet ndërtohen me bashkëpunim të ngushtë me federatat sportive, me profesionistët e fushës, me vizion të përbashkët. Në Kosovë, duket se mjafton një slogan politik, një ceremoni, pak kamera – dhe gjithçka tjetër është opsionale, përfshirë edhe vetë futbollin.
Sepse nëse do të ndërtohej me të vërtetë stadium futbolli, mungesa e presidentit të FFK-së do të ishte e pakuptimtë. Por nëse është thjesht një livadh për gjyshet, atëherë prania e figurave politike dhe mungesa e profesionistëve të futbollit bëhet më se e logjikshme.
Qytetarët e Gjilanit, të lodhur nga premtimet, mund të kenë të drejtë të dyshojnë: mos vallë ky nuk është fillimi i ndërtimit të një stadiumi, por vetëm një tjetër shfaqje për të ndertimin e livadhit te premtuar.