Mbi 100 të rinj e të reja gjirokastritë kanë vendosur të reabilitojnë, me forcat e mjetet e tyre, Memorialin e Rilindasve të qytetit, dhe t’i japin një “leksion dinjiteti” shtetit dhe strukturave përkatëse shtetërore që nuk duan të bëjnë punën e tyre, kanë njoftuar këto ditë gazetat e Tiranës.
Nisma e të rinjëve gjirokastritë është vërtet shembuull për të gjitha qytetet shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe viset e tjera shqiptare, që të mos harrohen përsonalitetet e kulturës dhe kujtesa për ta. Ata morën iniciativën për të rehabilituar me mjetet dhe mundësitë e tyre Memorialin e Rilindasve në qytetin e tyre, ku prehen eshtrat e pesë figurave të ndritura të kombit: Çerçiz e Bajo Topulli, Andon Zako Çajupi, Koto Hoxhi dhe Pandeli Sotiri.
Në kohën e harresës së madhe nga ana e shtetit për trashëgiminë tonë historike dhe kulturore, në kuadrin e luftës së hapur institucionale për rishikimin e historisë dhe injorimin e figurave më të shquara të historisë së kombit, nisma qytetare e një grupi rinor është një mesazh i madh shprese për ndjesinë kombëtare të bjerrur, për indiferencën politiko-shtetërore, por edhe intelektuale e më gjerë.
Për hir të së vërtetës fenomeni i shkatërrimit dhe, në rastin më të mirë, të moskujdesjes për objektet historike, muzeumet, memorialet, obeliskët, lapidaret, pllakat përkujtimore, varrezat e dëshmorëve të rënë për Atdheun etj., ka ndodhur, për fatin e keq, në të gjithë Shqipërinë, por edhe në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare, veçmas ata të Periudhës së Rilindjes kombëtare.