Në përmbyllje të 100-ditëshit të parë të punës, Qeveria e Kosovës është përballur me kërkesën e deputetëve opozitarë për dorëheqje. Pasi që kanë vlerësuar se nuk ka pasur asnjë punë, asnjë zhvillim, vetëm degradim të qeverisjes dhe kulturës së punës, deputetët e opozitës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të premten kanë kërkuar nga kryeministri dhe nga kabineti qeveritar që të japin dorëheqje dhe të lëshojnë rrugën për një qeverisje më të mirë.

Një kërkesë e tillë ka ardhur nga shefi i grupit parlamentar të partisë së tretë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i cili ka thënë se Kosova po shkon drejt katastrofës.

“Prej këtu duhet t’i themi kryeministri të Kosovës, mblidhi shokët dhe jep dorëheqje. Tërhiqu, sepse Kosova po shkon drejt katastrofës. Kjo është kultura e punës, por ju lutem nëse e doni pak Kosovën, jepni dorëheqje dhe lëshoni rrugën”, ka thënë Gjini.

Sipas tij, edhe me rritjen e pagave të punëtorëve, qytetarët vetëm sa janë varfëruar, për shkak se është rritur edhe çmimi i artikujve. Gjini po ashtu ka folur edhe për liberalizimin e vizave, duke e akuzuar Qeverinë e Kosovës, pse Kosova ende është vendi më i izoluar në rajon.

Ndërkaq për autostradën Vërmicë-Merdare, ka thënë se në vend se të shkojë ashtu siç ka vendosur Kuvendit, Qeveria e ka ndërruar trasenë me një vendim të paligjshëm. Sipas Gjinit, të gjitha rrugët e nisura tash e katër vjet nga Qeveria Thaçi, vazhdojnë të jenë të papërfunduara.

Ai ka vënë në dukje edhe marrëveshjen me FMN-në, duke thënë se në momentin e shpalljes së zgjedhjeve, kjo qeveri ka thyer marrëveshjen duke bërë premtime për rritje të pagave me qëllim të blerjes së votave.

Ministri i Financave Bedri Hamza i është kundërpërgjigjur deputetit Gjini duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për prishje të marrëveshjes me FMN-në.

“U përmend çështja e marrëveshjes me FMN. Ne kemi arritur një marrëveshje me FMN-në, është marrëveshje e monitoruar nga stafi, që deri në fund të vitit 2011 do t’i ketë dy vlerësime. Njërin në shtator, nëse është pozitiv atëherë derdhën mjetet, nëse është negativ, hapet rruga për një marrëveshje të re. Këto nuk janë donacione, janë kredi, të cilat qytetarët e Kosovës janë të obliguar t’i kthejnë. Do të duhet të paguajmë kamata për to. Nëse respektohen marrëveshjet, Kosova do të ketë qasje në donacione deri në vitin 2012”, ka sqaruar Hamza.

Ligjvënësit gjatë seancës së sotme kanë ngritur edhe çështje të tjera, sikur që është çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për të cilët deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu ka thënë se po përballen me dhunë dhe terror nga pushteti serb, si pasojë e të cilës dhunë po detyrohen të largohen.

“Të nderuar qeveritarë, derisa po vazhdoni negociatat, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci po zbrazen”, ka thënë Aliu.

Në seancën e sotme, ligjvënësit kanë për shqyrtim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia ndaj palëve të treta, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verërat, Projektligjin për akcizën në produktet e duhanit dhe Projektligjin për përdorimin civil të eksplozivëve.

Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të Kosovës për vitin 2010

SHPËRNDAJE