Kreu i FBDK-së, Gafurr Adili ka bërë thirrje që shqiptarët duhet të bojkotojnë zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni.

Ai ka alarmuar se këto zgjedhje do të jenë një rast tjetër për shkaktimin e gjakderdhjes mes shqiptarëve dhe vëllavrasjeve.

Adili ka akuzuar dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH se në zgjedhjet e ardhshme do të përdorin në terren partitë aleate nga Kosova.

“Bazuar në informacionet e grumbulluara shumë të sigurta, jo vetëm nga radhët e të gjitha partive politike shqiptare në IRJM, por edhe nga radhët e partive sllavo-maqedonase, kemi arritur të kuptojmë se, zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen do të jenë edhe më të përgjakshme se sa zgjedhjet e mbajtura deri më tani. Bandat e partive politike shqiptare, të BDI-së do të mbështetën (me armë) nga bandat e aleatit të saj në Republikën” e Kosovës, të PDK-së të Hashim Thaçi, kurse bandat e PDSH-së do të mbështetën nga bandat e AAK-së dhe vëllezërve Haradinaj”, thekson kryetari i Frontit për Bashkim Demokratik Kombëtar (FBDK), Gafurr Adili, duke shtuar se vetëm partisë së re Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), të Rufi Osmanit aktualisht i mungon aleati i saj nga Kosova.

Andaj ai ka gjykuar në reagimin e tij se të gjitha forcat dhe shoqatat shqiptare që mbështesin FDBK-në të bojkotojnë zgjedhjet siç theksoi ai në IRJM.

SHPËRNDAJE