Po shkon drejt përfundimit fushata e partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit në Maqedoni. Partitë politike këtyre ditëve pritet të intensifikojnë aktivitetet dhe fushata të jetë dinamike për të tërhequr votuesit. Shtabet partiake bëjnë të ditur se në ditët e fundit do të përqendrohen për tubimet dhe aktivitetet më masive me elektoratin dhe në zonat më të rëndësishme.

Fushata zgjedhore për shkak të zgjedhjeve të parakohshme zgjatë vetëm 20 ditë dhe se në garën zgjedhore janë 20 parti politike dhe një listë e pavarur qytetare. Nga partitë shqiptare, BDI-ja nisi fushatën në Shkup, PDSH-ja në Kondovë, RDK në Shkup, DR në Mateç të Kumanovës, BDSH në Tetovë si dhe PPD në Gostivar.

30 parti politike kanë nënshkruar javën e kaluar Kodin e Sjelljes gjatë zgjedhjeve parlamentare, pas apelit për sjellje korrekte zgjedhore nga SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe OSBE-ja. Të drejtë vote kanë 1 821 122 qytetarë të Republikës së Maqedonisë të evidentuar në listën e vetme zgjedhore. Për herë të parë do të votojë edhe diaspora, ku do të zgjidhen tre deputetë të diasporës në SHBA-Kanada, Evropë dhe Australi-Azi.

SHPËRNDAJE