Në shenjë respekti dhe nderimi të përjetshëm për sakrificën sublime të Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, së bashku me delegacionin e FFK-së, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ky akt nderimi u zhvillua në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila përfaqëson një moment kyç në historinë e rezistencës dhe luftës për liri të popullit shqiptar në Kosovë.
Presidenti Ademi theksoi se sakrifica e Familjes Jashari është gurthemeli i lirisë që sot gëzon Kosova dhe se si popull, por edhe si komunitet i futbollit, ekziston një obligim moral për të kujtuar dhe nderuar ata që dhanë jetën për lirinë e vendit.
“Rezistenca dhe sakrifica sublime e Familjes Jashari dhe e gjithë dëshmorëve tanë është gurthemeli i lirisë që ne sot e gëzojmë. Si komunitet i futbollit, e kemi për obligim moral të kujtojmë dhe të nderojmë në vazhdimësi me pietet ata që na mundësuan të jetojmë të lirë e në një shtet sovran,” u shpreh Ademi.
FFK vazhdon të tregojë përkushtim për vlerat kombëtare, duke u përkujdesur që edhe përmes sportit të mbahet gjallë kujtimi për ata që sakrifikuan gjithçka për Kosovën.
Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar, Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!
#UÇK #Kosova