Përzgjedhësi i Spanjës, Visente del Boske pas fitores kundër Portugalisë me penallti, ka deklaruar se futbollistët e tij janë angazhuar me të gjitha forcat e tyre për të arritur në finalen e Evropianit në Poloni e Ukrainë, derisa Çesk Fabregas është shprehur vetëkritik.
“Futbollistët e mi patën një angazhim të jashtëzakonshëm, sidomos në vazhdime. Ishim pak të ngadaltë në lojë, por në fund ia arritëm qëllimit. Penalltinë i ekzekutuan ata që kanë më shumë besim në vetvete. Duhet të pushojmë mirë dhe të përgatitemi për finale”, ka thënë Del Boske. Ndërkaq, Çesk Fabregas ka thënë se skuadra e tij ishte mjaft luftarake, por ka shprehur pakënaqësi me paraqitjen personale. “Ka qenë një lojë zhgënjyese e imja, por pjesa tjetër e skuadrës vrapoi shumë dhe luftoi deri në fund. Kjo është finalja e tretë në katër vitet e fundit. Nuk e di nëse e ka arritur dikush një gjë të tillë, por sinqerisht ndjenja është shumë e mirë. Nuk ishim në nivelin tonë më të mirë, por shpresoj se në finale do t’i përmirësojmë disa gjëra dhe në fund do ta festojmë titullin e ri”, ka thënë Fabregas. Kapiteni i skuadrës, Iker Kasilas ka theksuar se skuadra e tij ka pasur fat në serinë e penalltive. “Gjithmonë kam thënë se penalltitë janë lotari, por ne kishim shumë fat. Ishim shumë të lodhur nga ndeshja e kaluar, por nuk dua që kjo të shërbejë si arsyetim, por kjo ndikoi në lojën tonë. Tash duhet të këndellemi për finalen e madhe”, ka deklaruar Kasilas.

SHPËRNDAJE