I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Kosovën këtë javë, për të biseduar me liderët e Qeverisë së Kosovës për dialogun në mes të saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb në Kosovë.
Kështu ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit të dielën, duke theksuar se Escobar do të takohet edhe me komunitetin serb të Kosovës për të potencuar mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, thuhet në njoftimin e Departamentit te Shtetit.
Sipas njoftimit, Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024.