Prezent në filmin “Diktatori”, Kryeministri: Unë s’kam ndryshuar qëndrim për Presidentin

Filmi për diktatorin Hoxha ka bashkuar Kryeministrin Sali Berisha dhe ish-kreun e PS-së, Fatos Nano. Që të dy janë ulur në ambientet e bar “Opium”, në vendet e rezervuara për të ftuarit. Përfaqësues të lartë të klasës politike ishin dje të pranishëm në prezantimin e filmit “Diktatori” të Blendi Fevziut, i shfaqur në kinema “Millenium”. Në prezantimin e këtij filmi ishin të pranishëm edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryebashkiaku Basha, ambasadori Arvizu, Fatos Nano, gazetarë dhe figura të shquara nga biznesi, arti dhe kultura. Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar këtë dokumentar si hapin e parë të njohjes së barbarive të regjimit të asaj kohe, ndërsa sipas tij, dokumentari e paraqet Enver Hoxhën si diktatorin më të madh të të gjitha kohërave. Ai tha se konsumimi i energjisë me të shkuarën është jo produktiv, ndërsa njohja e të shkuarës sipas Kryeministrit është e domosdoshme për të parë qartë të ardhmen që meritojmë. Nano, i pyetur nga media për këtë shtrëngim duarsh me Berishën, u shpreh se na “bashkoi diktatura”, ndërsa Kryeministri e cilësoi si një takim kortezhe. “Mos i ngatërroni takimet e kortezisë. Unë qëndrimin për Presidentin e kam shpallur publik prej kohësh”, tha Berisha pas takimit. Ish-kreu i PS-së është vetëshpallur si kandidat për President të ardhshëm të vendit. Nano publikoi se ka një axhendë takimesh, në të cilën përfshihej dhe kreu i mazhorancës me qëllim shpalosjen e programit të tij presidencial./SHQIP

SHPËRNDAJE