Kryetari i PS-së, Edi Rama ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e opozitës për të vazhduar demonstratat e saj në mënyrë paqësore dhe pa dhunë. Ai ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit që të zbatojë urdhër-arrestimet e gjashtë punonjësve të Gardës së Republikës, që sipas Ramës, enden ende të lirë, duke përbërë rrezikshmëri shoqërore.

“Apeli im për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit është që të jetë drejtor i përgjithshëm i kësja policie dhe jo një tjetër ekzekutor i një pushteti që ka humbur çdo legjimitet. Ai nuk mund të mbajë në tryezë urdhër-ndalimet për njerëzit që kanë marrë jetë njerëzish”, është shprehur Rama.

“Apeli im për miqtë ndërkombëtarë është të shohin drejt e në sy të vërtetën që është me e qartë falë kurajos dhe mundësive për të transmetuar prova të manipulueshme të atyre gazetarëve që sot janë edhe ata në një kacafytje për lirinë apo humbjen e saj me një pushtet që duhet të largohet, në mënyrë që Shqipëria të futet në normalitet dhe shqiptarëve t’u jepet e drejta e mohuar për të zgjedhur qeverinë e tyre me zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Rama.

“As e kemi humbur dhe as do ta humbim këtë fill duke shkuar përpara me forcën e arsyes dhe refuzuar të biem pre e tundimit për të përdorur arsyen e forcës. Dje u provokuam barbarisht nga një polici shteti e keqpërdorur e cila ndërhyn me bomba e blinda ujëhedhës, mbi protestuesit. Do të vazhdojmë në rrugën tonë, nuk do të ndalemi në demonstrimet tona, sepse është një udhëkryq ku ndalen dy botë, ajo e lakuriqit të natës dhe ajo e dritës së të vërtetës. Do të vazhdojmë pa dhunë, paqësisht, urtësisht, me fuqinë e pandalshme të rezistencës së popullit. Ata në pushtet janë partia, ne në rrugë jemi populli”, përfundoi fjalën e tij Rama.

SHPËRNDAJE