TIRANË, 29 Dhjetor /ATSH/ -Kryetari i shoqatës së gazetarëve shqiptarë në Zvicër, Nefail Maliqi dhe drejtori i agjencisë “Presheva Jonë” Kushtrim Maliqi, në kuadër të bashkëpunimit që kanë me Agjencinë Telegrafike Shqiptare bënë një vizitë sot në këtë institucion.

 

Drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica dhe delegacioni i kryesuar nga zoti Nefail Maliqi në takimin e tyre shkëmbyen mendime dhe ide lidhur me thellimin e bashkëpunimit dhe një pasyqrim më të thelluar të gjithë problematikës që kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kjo trevë e rëndësishme shqiptare ka nevojë për një pasqyrim më të plotë jo vetëm me informacione që lidhen me jetën dhe punen e përditëshme të kësaj krahine, por edhe me sfidat që ata përballojnë dhe rezonancën e tyre në të gjithë jetën shqiptare- theksoj ndër të tjera zoti Podgorica në bashkëbisedim me miqtë e tij nga kjo krahinë.

Zoti Maliqi si një ndër gazetarët me përvojë të gjatë në fushën e medias dhe me një atashim prej vitesh në disa organizata ndërkombëtare falenderoj jo vetëm për pritjen, por edhe për mundësitë e komunikimit.

-Agjencia “Presheva Jonë”, tha ai , ka vlerësuar gjithnjë punën dhe kontributin e ATSH-së në drejtim të informimit të shqiptarëve ndër vite dhe e shikon me shumë rëndësi thellimin e bashkëpunimit. Ne duhet të marrim dhe japim më shumë nga njeri-tjetri dhe vullnetet ekszistojnë, kështu që ata duhen domosdoshmërisht të kanalizohen institucionalisht. Edhe nga qendra jonë në Zvicër, tha ai – ne mund të japim lajme për ATSH-në që janë mjaft të vlefshme për publikun tonë. Agjencia “Presheva Jonë”si e vetmja agjenci në Luginën e Preshevës jep informacione jo vetëm për jetën dhe punën në Luginë, por për të gjithë trevat dhe ka komunikim me disa agjenci në rajon.
Bashkëbiseduesit u dakordësuan edhe për shkëmbimin e përvojës reciproke dhe rritjen e komunikimit të gazetarëve të dy palëve.
Drejtori i Agjencisë ‘Presheva Jonë” do të realizojë gjatë qëndrimit në Shqipëri edhe disa takime me gazetarë të mediave te tjera dhe do të vizitojë qendra historike e kulturore të vendit tonë. /gj.m/

SHPËRNDAJE