Ndonëse shumica e regjistruesve të punësuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës kanë dhënë dorëheqje në veri të vendit, ky institucion me sa duket e ka gjetur zgjidhjen për mos ta ndalur regjistrimin e popullsisë.

ASK thotë se këtë proces do të kryejë personeli rezervë që e ka në dispozicion.

“Ne kemi rekrutuar edhe staf rezervë të cilët i kanë ndjekur trajnimet bashkë me stafin aktiv. Në momentin kur një regjistrues tërhiqet atëherë ne kemi stafin rezervë që e zëvendësojmë me të”, tha Hazbije Qeriqi, zyrtare për komunikim në ASK.

Pavarësisht thirrjes së Listës Serbe për të bojkotuar regjistrimin, sipas ASK-së, disa serbë kanë shprehur interesim për ta kryer këtë proces që vlerësohet shumë i rëndësishëm.

“Kemi informata që ka pasur qytetarë nga komuniteti serb që kanë shkuar nëpër komunat e tyre dhe kanë shprehur gatishmërinë e tyre për tu regjistruar në regjistrimin e popullsisë duke shprehur vullnetin e tyre dhe kjo nënkupton që ata e kanë kuptuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë dhe se është në të mirën e vet qytetarëve”, tha Qeriqi.

E, për ata që nuk duan të jenë pjesë e regjistrimit, një strategji po mundohet të gjejë edhe Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Kryesuesi i Kuvendit të kësaj komune thotë se të realizohet një takim për këtë qëllim.

“Të vjen deri tek takimi me Kryetarin e Komisionit për regjistrim të popullatës shumë shpejt, jemi vazhdimisht në kontakt dhe do të këqyrim se qysh me shku procesi ma tutje”, tha Nedzad Ugljanin, kryesuesi i Kuvendit.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011. Por, atëherë ky proces ishte bojkotuar nga serbët, për çka është i paqartë numri i tyre.

SHPËRNDAJE