Ish-anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Donika Gërvalla, pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, është duke bërë fushatë e grumbulluar vota për t’u bërë deputete e për ta bërë Albin Kurtin kryeministër nga zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.

Por çfarë kishte thënë vetë Gërvalla për Albin Kurtin në një intervistë në “Rubikon” më 15 janar të vitit 2014?

Ajo në një intervistë në “Rubikon” kishte deklaruar se sjelljet dhe gjuha e Albin Kurtit ia kujtojnë regjimin komunist të Shqipërisë.

Gërvalla kishte potencuar se Albin Kurti është një politikan i ri në moshë por një ideolog i vjetër dhe, sipas saj, ideologjia që e përfaqëson Albin Kurti është ideologji që i ka kaluar koha.

Tutje, Gërvalla kishte thënë se është shumë e ndjeshme, kur sheh në gjuhën e dikujt elemente të cilat ia kanë mësuar gjatë shkollimit në Shqipëri.

E pyetur nga gazetari Adriatik Kelmendi nëse këtë po e ndërlidh me regjimin komunist, Donika Gërvalla kishte thënë se po, gjuha e Albin Kurtit ia kujton regjimin komunist.

“Lëvizja Vetëvendosje, siç e ka edhe emrin lëvizje, përbëhet nga rryma të ndryshme. Unë, kur flas për LVV-në dhe ideologjinë, e kam në radhë të parë fjalën për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurtin. LVV, siç tregoi në rastin e Shpend Ahmetit, tregoi se ka nevojë për emra të rinj, për lëvizje të reja. Albin Kurtin është i ri në moshë, por është një ideolog i vjetër. Ideologjisë të cilën e përfaqëson Albin Kurti i ka kaluar koha para shumë vjetësh. E kam fjalën për ideologjinë e një mendësie të cilën unë e shoh shumë qartë në atë se çfarë ai flet dhe në formën se si ai shtjellon forma të ndryshme. Unë jam rritur në Shqipëri dhe jam organikisht mjaft e ndjeshme, kur shoh në sjelljen dhe gjuhën e dikujt elemente të cilat neve na i kanë mësuar në shkollë në Shqipëri. Elemente të një ideologjie që iu ka kushtuar shqiptarëve shumë dhe që nuk do të duhej të përsëriteshin më asnjëherë. Unë e lidh me kohën e regjimit komunist dhe gjuha e tij ma kujton kohën e regjimit komunist, gjuha që ai përdor”, kishte thënë Donika Gërvalla në “Rubikon”.

SHPËRNDAJE