Presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik tha mbrëmë përsëri se “serbët hynë në këtë shekull me dy shtete – Serbinë dhe RS”.

Këtë Dodik e tha në akademinë ceremoniale në Novi Sad me rastin e Ditës së Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar Serb. Ai përkujtoi se para pesë vitesh është vendosur që 15 shtatori të kthehet si festë dhe se më meritor për këtë është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Në Mbretërinë e Jugosllavisë festohej si Dita e Ushtrisë dhe pushteti komunist e fshiu, sikur të mos ekzistonte kurrë. Dhe kjo flet se si trajtoheshin njerëzit tanë në atë kohë” – tha Dodik dhe shtoi:

“Ne humbëm një kohë të shkëlqyer, por Serbia po kthehet dhe populli serb po i kthehet vetes. Sot, kur shikoj atë që kemi lënë pas në dekadat e fundit, më duhet të them të vërtetën përfundimtare që shumë nuk duan ta dëgjojnë, e cila është se serbët hynë në këtë shekull me dy shtete – Republika Srpska dhe Serbia dhe për të rikthyer forcën e popullit tonë në Mal të Zi” – tha Dodik.

SHPËRNDAJE