blerina-zoto-640x344Blerina Zoto, Këshilltarja shqiptare në Misionin diplomatik pranë OKB-së në Gjenevë, ka shkruar një letër të hapur në gazetën “Panorama”, ku thotë se ka tre muaj që i është prerë paga pas mosmarrëveshjeve të Blendi Klosit dhe Ditmir Bushatit, transmeton agjencia e lajmeve “Presheva jone” ne Zvicer.

Agjencia imobiliare në Zvicër, tek e cila ambasada paguan qiranë e shtëpisë, i ka dërguar njoftim se do ta nxjerrin jashtë, pasi nuk është paguar qiraja.

“Para dy muajsh, në fillim të Prillit, pas një viti normal pune, Ambasadore Filloreta Kodra, pa marrë mundimin të më njoftojë veçmas, më bën një skenë poshtëruese në sy të kolegëve me fjalët se “nuk ka para të më paguajë rrogën”! Kjo mungesë parash vlente vetëm për mua, meqenëse, ndryshe nga kolegët e tjerë, unë varesha nga një Ministri tjetër.???????????????????????????????

Sipas Ambasadores, MMSR-ja nuk ka transferuar fondin e përvitshëm për të vazhduar pagesat e shpenzimeve të mia. Më kontaktoi me letër agjencia imobiliare e Gjenevës, e cila na kishte dhënë si ambasadë apartamentin ku banoj. Agjencia në fjalë më informon se ambasadorja e Shqipërisë kishte prerë pagesën e qirasë sime si diplomate. Agjencia më jepte prerazi dy mundësi, ose të vazhdoja ta paguaja qiranë unë personalisht nga xhepi, ose do të më nxirrte jashtë.

Një tradhti të tillë nga shteti yt është vështirë ta gëlltisësh. Për më tepër që puna ime në ambasadë vazhdon sikur të mos ketë ndodhur asgjë, pasi çdo ditë, me një hipokrizi teatrale, më jepet lista e detyrave që duhet të kryej. Pyes ambasadoren nëse është në dijeni që jo vetëm s’kam më rrogë, por që tani zviceranët më kërkojnë dhe pagesën e qirasë nga xhepi im. Pa u shokuar aspak, ambasadorja më thotë: “Si nuk e ditkam!”. Por nuk është vetëm kaq, përveç rrogës dhe qirasë më priten dhe siguracionet e detyrueshme kur punon jashtë shtetit”

Zoto ka ardhur në Tiranë që të takojë dy ministrat nga varet, Klosi dhe Bushati, por është kthyer e zhgënjyer se për dy javë të qëndrimit të saj nuk është pritur nga asnjë prej tyre, duke e lënë diplomaten tonë në Gjenevë në pamundësi financiare për të kryer detyrën.Ndërkohë ambasadorja jonë në Zvicër Filloreta Kodra ka qenë e prerë, siç tregon vetë diplomatja.

“Mos të të vijë keq, shtoi ajo, të paralajmërova, nuk kam më fonde për ty, pasi Ministri yt, Blendi Klosi, nuk po e zbaton kontratën me Ministrin tim, Ditmir Bushati”. E keni seriozisht, i thashë?! Funksionimi i Shtetit nëpër ambasada nuk mund të jetë peng i tekave të ministrave që s’bien dakord për fondet.

Shteti nuk është pronë private. A e imagjinoni skandalin diplomatik me policinë zvicerane në apartamentin e një diplomateje shqiptare që shteti i vet, punëdhënësi i vet, e ka braktisur me dy fëmijë në dhe të huaj pa rrogë, pa qira, pa siguracion shëndetësor, pa ndihmë juridike?! “Zonjë, më tha ambasadorja, unë të kërkoj të bësh punën, për të tjerat, nuk është puna ime”. E panikuar, por duke dashur të fsheh çdo stres para fëmijëve që mos t’i shqetësoja, vendosa të përdorja ato pak kursimet e fundit që më kishin mbetur pas dy muajsh pa rrogë, të prisja një biletë avioni dhe të vija në Tiranë të kërkoja të drejtat e mia.

Mbërrita në 9 Maj. Dy javë të tmerrshme, ku nuk munda të takoja asnjë nga dy ministrat, as Blendi Klosin dhe as Ditmir Bushatin. Çfarë të bëja? Figuroja në punë në Gjenevë, por ndodhesha në Tiranë si naftëtare e Ballshit për të kërkuar rrogën time, të drejtat e mia më elementare, jo si diplomate, por si qenie njerëzore. Një situatë surrealiste. Askush nuk më kishte thënë largohu nga puna, thjesht më kishin prerë rrogën dhe të gjitha mundësitë për jetesë. Çfarë luhej me mua?

Moskokëçarje? Po si mund ta ndërmarrë një ministër një rrezik të tillë neglizhence me një kosto kaq të lartë për imazhin e vendit?! Presion psikologjik që më bëhej? Pse vallë? Mos i kishin vënë syrin postit tim për t’ia dhënë dikujt tjetër, apo angazhimi im për çështjen rome s’u kishte pëlqyer?! Po atëherë pse s’më bënin një letër që të kthehesha në atdhe?! Dy javë torturë nga dera e një ministrie te tjetra, plot mesazhe kontradiktore nga kolegët në dy kabinetet ministrore. Një ditë mbase më priste Bushati, por që në momentin e fundit ndërronte mendje, pasi dosja i takon Klosit. Një ditë tjetër Klosi që brenda ditës ndërronte tri herë mendim, se s’ia kishte haberin çfarë bëja unë në Gjenevë dhe që, sipas tij, meqenëse isha në një ambasadë, po të donte të më mbante Ministria e Punëve të Jashtme, ç’punë kishte ai!!! Për t’i dhënë fund kësaj loje pingpongu, vendosa t’u shkruaj të dyve në detaje. I vura eprorët e mi, Blendi Klosi dhe Ditmir Bushati, para përgjegjësisë së tyre dhe u tregova dokumentet që ata vetë kishin firmosur.

Qëndrimin shpërfillës të dy ministrave Klosi dhe Bushati, diplomatja e ka denoncuar sot në media, e bindur se Kodi i Punës pas kësaj do të zbatohet.

“Sot ndjehem e çliruar. Sepse sot nuk dua të bëj më asnjë pyetje. Dua vetëm të denoncoj metodat brutale të Administratës sonë, ose më mirë metodat e eprorëve të kësaj administrate, metodat mospërfillëse të Ministrave tanë. Sot kam vendosur t’i them “mjaft” talljes dhe poshtërimit. Kam vendosur të bëhem zëdhënëse e atyre qytetarëve të këtij vendi që fyhen, poshtërohen, përbuzen, diskriminohen nga ata që na drejtojnë dhe që e konsiderojnë veten si të plotfuqishëm, si zotër të jetëve dhe fateve tona.

Tre muaj pa rrogë, biles dhe gjashtë muaj po qe nevoja do t’i pranoja nëse do të kishte një minimum shpjegimi dhe një shprehje ndjese për vonesat. Por që në këtë skandal shtetëror, se i tillë është, as Ministri i Jashtëm, as Ministri i Punës, mos të gjejnë kohën në shenjë respekti të më përgjigjen për të më thënë se e morën letrën zyrtare dhe se po kërkojnë shkaqet e keqfunksionimit të hallkave administrative, këtë nuk mund t’ua fal kurrë. Po ata vetë si do të silleshin sikur taksapaguesi të vendoste një ditë t’ua priste dhe atyre rrogën për muaj të tërë, pa përmendur gjithçka që lidhet me funksionet e tyre, derisa të kujtohen t’u përgjigjen problemeve të çdo taksapaguesi? Kam nderin dhe krenarinë të kem shërbyer me devotshmëri në administratën publike të vendit tim. Dhe kënaqësinë më të madhe nuk ma kanë dhënë vlerësimet e eprorëve të mi, por vlerësimet e atyre që kam shërbyer me prioritet, pjesëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian. Sepse ishin më të pambrojturit për këtë arsye u shërbeja edhe më me përgjegjshmëri. Këtë prisja këto ditë edhe nga dy Ministrat nga të cilët varem.

Ngaqë jam totalisht e pambrojtur në tokë të huaj, pa të ardhura, pa banesë legale, pa siguracion, prisja të më shtrinin dorën dhe të më jepnin gjithë kujdesin që një Administratë moderne duhet të tregojë karshi punonjësve të saj. Më keni zhgënjyer, zotërinj ministra. Shqiptarët meritojnë shumë më shumë se kaq. Për sa më përket mua, meritoj dhe kërkoj që qeveria ime të më paguajë një për një të gjitha rrogat e ndërprera që prej 1 Prillit 2016. Përtej mosmarrëveshjeve midis Ministrive në kurriz të një punonjëseje të shërbimit diplomatik, në kurriz të një nëne me dy fëmijë, pa asnjë të ardhur në vendin më të shtrenjtë në botë, qëndron një ligj universal: çdo punë meriton rrogë.

Ky ligj quhet Kodi i Punës. Për zbatimin e këtij ligji në të gjitha vendet e botës, si dhe për të luftuar çdo padrejtësi tjetër, jam me mision pranë Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB, në Gjenevë. Për ironi të fatit, këtë respektim minimal të të drejtave të njeriut dhe të punonjësve detyrohem t’ia kërkoj në radhë të parë vetë Shtetit tim. Uroj që kjo letër e imja, dhe ndoshta kjo sakrificë e imja, pasi ndoshta hakmarrja e verbuar e eprorëve të mi nuk do të vonojë të bjerë mbi supet e mia, të shërbejë që heshtja të thyhet në Administratën Publike të Republikës së Shqipërisë për t’u thënë ndal abuzimeve, ndal arrogancës me nëpunësit civilë, që të mos poshtërohen si në rastin tim. Gjyqi më i mirë që mund t’i bëhet një shteti, i cili nuk respekton shtetasit e tij, është Gjyqi i Opinionit Publik”

SHPËRNDAJE